Shpallja e aktgjykimit lirues ndaj Agron Selimit, ish-kryetari i klubit futbollistik "Kosova" FOTO-Bahrie Sadiku/KALLXO.com

Lirohet nga akuza ish- drejtori i klubit futbollit “Kosova”

Procesi gjyqësor ndaj ish- drejtorit të klubit të futbollit  “Kosova”, Agron Selimi ka përfunduar me aktgjykim refuzues.

Aktgjykimi nga Gjykata e Mitrovicës erdhi pasi Prokuroria është tërhequr nga akuza ndaj Selimit.

I lartcekuri nga Prokuroria e Mitrovicës akuzohej se gjatë kryerjes së detyrës së tij zyrtare si drejtor i klubit të futbollit ka përvetësuar mbi 19 mijë euro nga një ndihmë në shumën prej 30 mijë eurosh nga PTK-ja

Ndërsa në seancën e sotme prokurori i rastit Njazi Rexha, gjatë dhënies së fjalës përfundimtare ka deklaruar se tërhiqet nga akuza.

Rexha ka theksuar se pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave tërhiqet nga aktakuza pasi që nuk është vërtetuar se i pandehuri Agron Selimi ka kryer veprën penale për të cilën ngarkohet.

Sipas Prokurorit, sipas informatave zyrtare, organizata jo-qeveritare, përkatësisht klubi futbollistik nuk ka pasur dhe nuk ka status të përfituesit publik, e me këtë edhe nuk kanë qenë të obliguar për mbajtjen e librave të arkave.

“Është fakt se aktakuza është ngritur për veprën penale përvetësimi në detyrë në bazë të dokumentacionit që ka poseduar klubi futbollistik ‘Kosova’ e të cilën na e ka prezantuar sekretari i klubit Avdullah Kelmendi, se dokumentacioni nuk ka qenë i kompletuar është vërtetuar edhe gjatë rrjedhës së shqyrtimit gjyqësor kur nga ana e mbrojtjes prezantohen provat të lëshuara nga Hoteli ‘Bonita’ me seli në Durrës nga i cili rezulton së gjatë muajit shkurt 2011 për një turne stërvitore klubi ka qëndruar kundrejt pagesës prej 7500 euro…” tha Rexha.

Po ashtu gjatë kësaj seance janë administruar provat dhe është marrë në pyetje i pandehuri Selimi.

Selimi ka thënë se ai nuk ka përvetësuar shumën për të cilën akuzohet.Ndërkaq, ai  gjithashtu ka treguar për investimet të cilat i kishte bërë në klub që nga koha kur ishte bërë drejtor i klubit.

“ Të hyrat e klubit kanë qenë zero, te hyrat kanë qenë vetëm nga paratë e mia personale. Klubin dy herë e kam pas në llogaritë e mia personale, dy herë si kryetar i klubit 2010 – 2011 dhe 2014 – 2015 kam qenë i thirrur nga këshilli komunal që të jem prapë kryetar i klubit. Sa i përket të hyrave në llogaritë e mia personale e kam 220.000 euro mungesë të parave të cilat i kam investuar në klubin Kosova e Vushtrrisë me mjete të miat personale “, u shpreh Selimi.

Po ashtu lidhur me donacioni nga PTK-ja i cili ishte edhe pjese e aktakuzës, Selimi ka deklaruar se ato para i kishte investuar në klubin e futbollit ashtu siç i kishte investuar edhe paratë e tij më parë.

Gjatë fjalës përfundimtare prokurori Njazi Rexha ka deklaruar se tërhiqet nga akuza me anë të së cilës Selimi ngarkohej për përvetësim në detyrë.

Pas kësaj trupit gjykues me kryetar Bekim Veliqin, në mungesë të akuzës – tashmë të tërhequr, ka shpallur aktgjykim refuzues ndaj të pandehurit Selimi.

Ndërpritet seanca ndaj ish drejtorit të ‘KF Kosova’