Foto: KALLXO.com
Akuzat për vrasje të foshnjës dhe vrasje në tentativë të foshnjës tjetër, çifti nga Skenderaj nuk e pranon fajësinë
Një çift nga Skenderaj po ballafaqohet me akuza të rënda, pasi nga Prokuroria dyshohen se kanë privuar nga jeta foshnjën e tyre tremuajshe dhe i kanë shkaktuar plagë të rënda foshnjës tjetër.
Rasti ka ndodhur në shtëpinë e tyre në fshatin Lubovec të Skenderajt më 13 shtator 2014.
Prokuroria ka ngritur akuza për vrasje të rëndë dhe tentim vrasje të rëndë kundër të dyshuarve F.B. dhe S.R.
Sipas akuzës, të pandehurit dyshohet se kanë përdorur një mjet të fortë për të goditur foshnjën e tyre, e cila më pas është varrosur në varrezat e fshatit Lubovec.
Përveç akuzës për vrasje të rëndë, burri dhe gruaja akuzohet edhe për goditjen e foshnjës tjetër, të cilës akuzohen se i kanë shkaktuar plagë të rënda trupore dhe frakturë të dyfishtë në kokë.
Në seancën e gjyqit të enjten, të akuzuarit kanë deklaruar pafajësinë e tyre, duke mohuar përfshirjen në ngjarjen tragjike.
“Nuk e pranojmë fajësinë”- thanë ata gjatë seancës gjyqësore.
Shqyrtimi më tej vijoi me fjalën hyrëse të palëve.
Prokuroria ka deklaruar se qëndron në tërësi si në aktakuzën e ngritur dhe kërkoi nga trupi gjykues që të bëhet dëgjimi i dëshmitarëve dhe administrimi i provave ku dhe do të vërtetohet gjendja si në akuzë.
Mbrojtësja e viktimave, Shemsa Sagdati, mbështeti fjalën e prokurorit dhe kërkoi që të vazhdohet me shqyrtim gjyqësor.
Në anën tjetër, Vehbi Beqiri, mbrojtës i të akuzuarës F.B. ngeli në tërësi si në kundërshtimin e bërë në vitin 2019.
“Duke konsideruar se provat e grumbulluara gjatë fazës së hetimeve nga mjekët e fushës kanë konstatuar lëndimet, por se në akuzë nuk është bërë asnjë ndërlidhje që i lidh të pandehurit me këto lëndime. Andaj pres që pas procedimit të provave e akuzuara të shpallet e pafajshme”-deklaroi avokati Beqiri.
Isa Hyseni, avokat i të akuzuarit S.R., mbështeti deklarimet e parafolësit.
Në këtë seancë Gjykata ka aprovuar propozimin e mbrojtësit të viktimave për caktimin e kujdestarit nga Qendra për Punë Sociale për të dëmtuarën në këtë rast.
Seancat e radhës do të mbahen më 6 dhe 7 shkurt 2024.
Rasti po gjykohet nga kryetarja e trupit gjykues Teuta Krusha me anëtaret-gjykatëset Raima Elezi dhe Arjeta Gashi.
Aktakuza po përfaqësohet nga prokurorja Ariana Shaikovca.
Ndryshe më 8 mars 2023, kjo lëndë është pranuar për shqyrtim, pasi Gjykata e Mitrovicës e ka transferuar atë në Gjykatën e Prizrenit, në përputhje me vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Mitrovicës, e ngritur më 12 tetor 2015, F.B. dhe S.R. akuzohen se më 13 shtator 2014, në shtëpinë e tyre në fshatin Lubovec të Skenderajt, së bashku, për motive të ulëta, me dashje kanë privuar nga jeta fëmijën e tyre tremuajsh.
Prokuroria thotë që burri dhe gruaja me mjet të fortë e kanë goditur në kokë foshnjën, duke i shkaktuar thyerje të kockës së kraniumit dhe gjakderdhje intrakraniale nga të cilat plagë ka vdekur dhe menjëherë e kanë varrosur në varrezat e fshatit Lubovec.
Për këto veprime, ata po akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale – vrasje e rëndë.
Sipas pikës së dytë të aktakuzës, ata po ngarkohen se së bashku për motive të ulëta, me dashje kanë tentuar që të privojnë nga jeta fëmijën e tyre tremuajsh, të dëmtuarën tjetër në atë mënyrë që me mjet të fortë e kishin goditur në kokë, me ç’rast e njëjta kishte pësuar plagë të rënda trupore, frakturë të dyfishtë në kokë.
Për këto veprime, ata po akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale – vrasje e rëndë në tentativë.