LDK e VV nuk marrin pjesë sot në Kuvend

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj pas mbledhjes së Kryesisë se Kuvendit të Kosovës, tha se partia e tij nuk do të marrë pjesë në seancën e sotme të Kuvendit.

“Qëndrimi ynë për seancën e sotme tashmë dihet, nuk do të marrim pjesë. Arsyet i dini, gjendja e njëjtë, institucionet e Kosovës janë duke treguar një jo qëndrueshmëri”, tha ai.

Por Zemaj tha se LDK do të marrë pjesë në seancën e se enjtes, ku do të diskutohet për tri projektligjet të cilat rrisin kompetencat e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Seanca e së enjtes përmbante transformimin e FSK-së dhe dy projektligje të tjera, LDK do të marrë pjesë në këtë seancë, kurse për të tjerat do të vendosim me deputetët e tjerë”, tha Zemaj.

Edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, tha se as kolegët nga partia e saj nuk do të marrin pjesë në seancën e sotme.

“Ne nuk do të jemi sot në seancë, por do të jemi të enjten për pikat që kanë të bëjnë me Ushtrinë e Kosovës”, tha ajo.

Haxhiu thotë se gjatë kësaj mbledhje është vënë në dyshim edhe buxheti i transformimit të FSK-së në ushtri.

“Në mbledhje u diskutua që të shtyhet kjo pikë për shkak të buxhetit, por ne e kundërshtuam. Ata kanë para për shpenzimet e tyre por jo për FSK-në”, tha Haxhiu.