Presidenti Trump dhe liderët e shteteve të tjera në Egjipt në ceremoninë e armëpushimit ndërmjet Izraelit dhe Hamasit. Foto: Shtëpia e Bardhë

Zyrtarët e “Hamasit” thonë se grupi është i gatshëm t’i dorëzojë disa armë

Dy zyrtarë të lartë të “Hamasit” në Gazë kanë thënë se grupi është i përgatitur të heqë dorë nga disa pushkë automatike dhe armë të tjera, një lëshim që nuk i plotëson kërkesat izraelito-amerikane, raporton gazeta “The New York Times”.

 

“Hamasi” është gati të heqë dorë nga mijëra pushkë automatike dhe armë të tjera që i përkasin forcës së tij policore dhe shërbimeve të tjera të sigurisë së brendshme në Gazë, kanë theksuar dy zyrtarë të grupit.

Një hap i tillë do të ishte një lëshim i jashtëzakonshëm nga “Hamasi”, i cili deri më tani ka rezistuar publikisht të heqë dorë nga çdo armë e tij.

Zyrtarët kanë deklaruar se “Hamasi” do të ishte i gatshëm t’ia dorëzonte këto armë komitetit administrativ palestinez që është ngritur për ta qeverisur Gazën nga Bordi i Paqes, organizata ndërkombëtare e udhëhequr nga presidenti amerikan, Donald Trump, për mbikëqyrjen e  armëpushimit.

“Hamasi” ka thënë më parë se është i gatshëm t’ia kalojë barrën e ofrimit të shërbimeve publike në Gazë komitetit të mbështetur nga SHBA-ja. Por grupi nuk i ka shpërbërë batalionet e luftëtarëve të armatosur, duke sugjeruar se dëshiron ta ruajë ndikimin në territor pavarësisht kundërshtimit izraelit dhe amerikan.

Propozimi nga dy zyrtarët nuk përmbush çarmatimin dhe demilitarizimin e plotë të Gazës – kërkesë thelbësore nga Izraeli dhe shtyllë e planit të paqes të presidentit Trump për territorin. Ky plan do ta largonte gjithashtu “Hamasin” nga pushteti dhe do ta pengonte nga çfarëdo roli në qeverisje.

Të pyetur nëse komiteti do të ishte gjithashtu në gjendje të konfiskonte armët që i përkisnin krahut ushtarak të “Hamasit”, dy zyrtarët nuk dhanë përgjigje të qartë.

Ekspertët vlerësojnë se krahu ushtarak i “Hamasit” ka shumë më tepër armë sesa forca e tij policore, duke përfshirë dhjetëra mijëra pushkë automatike dhe armë më të rënda si raketa antitank. Dhe u ka rezistuar kërkesave për demilitarizim të plotë të Gazës.

Dy zyrtarët me bazë në Gazë nga udhëheqja politike e “Hamasit”, të cilët iu përgjigjën me shkrim pyetjeve të “The New York Timesit”, folën të dy me kusht anonimiteti për ta diskutuar çështjen e ndjeshme. Komentet e tyre erdhën ndërsa zyrtarët e “Hamasit” dhe Bordit të Paqes po negocionin javën e kaluar në Kajro. Që nga sulmi i udhëhequr nga “Hamasi” ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, i cili ndezi luftën në Gaza, zyrtarët e “Hamasit” në Gazë rrallëherë kanë folur për media ndërkombëtare, pjesërisht për shkak të shqetësimit se Izraeli mund të përgjojë komunikimet dhe ta përdorë informacionin për t’i lokalizuar dhe shënjestruar.

 

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com