Zyrtarë të disa institucioneve protesojnë para Komunës së Prishtinës, paralajmërojnë grevë

Zyrtarë të Teatrit Dodona, Arkivit të Komunës së Prishtinës, Bibliotekës ‘Hivzi Sylejmani’, Qendrës Kulturore për Rini dhe Zjarrfikësit kanë protestuar para Komunës së Prishtinës me kërkesa për kushte më të mira në punë e zbatim të vendimeve që kanë të bëjnë më të drejtat e punëtorëve, në të kundërtën do hyjnë në grevë.

“Ndal shpenzimet në gjykata, vetëm ekzekuto vendimet”, “Kryetar a po të ngon kush?”, “Zbatimi i vendimeve të Këshillit të Pavarur mbikëqyrës të shërbimit civil të Kosovës”, “Kuvendi aprovon, kryetari ekzekuton”, “Harto rregulloren” janë disa nga mbishkrimet në pankartat e protestuesve drejtuar Komunës së Prishtinës.

Kryetari i Shoqatës Sindikale, Ahmet Gashi përmendi kërkesat që i kanë parashtuar kryetarit Përparim Rama duke theksuar se në rast se nuk ka realizim të tyre, do hyjnë edhe në grevë.

“Kërkesat tona janë mbi dy vite, janë kërkesa legjitime, sidomos për hartim të një rregulloreje për sistematizim të vendeve të punës, zbatim të vendimeve të Këshillit të Pavarur pasi ato nuk po zbatohen me kohë, zbatim i vendimeve të Kuvendit Komunal në raport me të drejtat e punëtorëve dhe të krijohen kushte më të mira të vendeve të punës”- tha Gashi.

Sipas tij, nëse kërkesat nuk plotësohen, si shoqatë sindikale do zgjedhin metoda tjera, si greva.

Ndërsa, Kryetari i Sindikatës së Pavarur së Administratës Publike, Ali Gashi tha se kërkesat e tyre janë minimale dhe kryetari duhet t’i përkrahë.

“Më mirë t’i kishin lënë 4-5 darka e t’i mbulonin kërkesat tuaja, ngriteni zërin dhe kërkoni të drejtat tuaja sepse atyre kurrë nuk do u bie ndërmend për ju e familjet tuaja”- deklaroi Gashi para protestuesëve.

Punëtorë të këtyre pesë institucioneve protestuan për një orë para objektit të komunës.