Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Zyrtare, lejohet votimi i qytetarëve të cilët kanë letërnjoftime me afat të skaduar

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim që t’iu lejohet votimi qytetarëve të cilët kanë letërnjoftime me afat të skaduar.

Por emrat e tyre duhet të jenë pjesë e Listës Përfundimtare të Votuesve.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

“Sapo i kemi njoftuar Komisionet Komunale të Zgjedhjeve se KQZ ka marrë vendim për lejimin e votuesve që të votojnë me letërnjoftime me afat të skaduar dhe të cilët figurojnë në Listat Përfundimtare të Votuesve”, ka thënë Elezi.

Sot në Kosovë po mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.

Në të gjithë territorin e Kosovës janë 888 qendra të votimit me gjithsej 2 mijë e 382 vendvotime.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare vijnë si rezultat i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka urdhëruar mbajtjen e zgjedhjeve të reja pasi ka anuluar vendimin për zgjedhjen e Qeverisë së Avdullah Hotit.