Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk i ka kthyer pajisjet Organizatës së Veteranëve të UÇK-së

Pajisjet të cilat i kishte marrë Zyra e Prokurorit të Specializuar gjatë një bastisjeje në zyrat e Organizatave të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 25 shtator 2020, nuk u janë kthyer edhe pse njoftimi se ato do të kthehen, sipas avokatit të OVL të UÇK-së Tomë Gashi, ishte bërë nga vetë ata.

Gashi i cili ishte autorizuar që t’i marrë këto pajisje nga OVL e UÇK-së, tha se njëri nga oficerët e Prokurorisë Speciale në Fushë- Kosovë i ka thënë se nuk janë të përgatitur që sot t’ua dorëzojnë këto pajisje.

“Para dy ditëve jemi njoftuar nga zyra e Prokurorisë Speciale në Hagë që ditën e sotme të vij unë si përfaqësuesi i organizatës së veteranëve të UÇK-së dhe ushtruesi i detyrës së kryetarit Faton Klinaku, por këta kanë vendos që faktikisht të mos na japin pajisjet për të cilat kanë kërkuar që gjithsesi të vijmë ditën e sotme në orën dhjetë”, tha Gashi.

“Besoj që mosdhënia e pajisjeve e cila ishte kërkesë e tyre që në të vijmë e t’i marrim, se ne nuk i kërkonim për shkak se e dinim se çfarë mund të ketë, por pyetja ishte se çfarë kanë gjetur këta? Në kërkuam që të na japin një raport se çfarë kanë gjetur në pajisjet që janë marr janë konfiskuar me 25 shtator të vitit të kaluar, kur fatkeqësisht pa kurrfarë arsye janë arrestuar Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati. Unë kam ardhur me kërkesë të shkruar. Unë besoj që ka qenë një fjali të cilën ne e kemi publikuar dje që ne kërkojmë që të na njoftojnë se çfarë kanë gjetur në pajisjet e konfiskuara”, shtoi Gashi.