Përgjimet Përfundojnë në Fitila të Farave

Në terminin e rregullt të së premtes “Drejtësia në Kosovë” sjell detaje për mënyrën se si dosjet e përgjimeve kanë përfunduar te shitësit ambulantë të cilët shesin fara në Sheshin “Nëna Terezë” në kryeqytet.

Skandali i cili është mbajtur i fshehur për disa muaj është konfirmuar nga zyrtarët e policisë dhe ata të prokurorisë.

Imer Beka, kryeprokuror i Prishtinës ka konfirmuar se prokuroria e tij tashmë ka nisur hetime, por nuk ka dhënë detaje se deri ku kanë arritur ato.

Emisioni i së premtes sjell edhe shqetësimin e banorëve të Krushës së Madhe për moshetimin e krimeve të luftës.

Reportazhi sjell rrëfimet e banorëve dhe shqetësimet e tyre për faktin se prokuroria asnjëherë nuk i ka vizituar deri më tani.  Banorët flasin për rrezikun që provat e mbetura nga masakrat të zhduken, ndërsa prokuroria e shtetit nuk ka dhënë përgjigje të sakta për mosveprimin.

“Drejtësia në Kosovë” në fund të emisionit transmeton Rubrikën “Policia” me aksionin ekskluziv të shkatërrimit të qindra kilogramëve marijuanë. Emisioni transmetohet çdo të premte nga ora 21 e 20 dhe repriza të hënën në mesditë.