Ilustrim

Mali i Zi nën Presion për t’i Hapur Dosjet Sekrete

Partitë opozitare, të cilat tashmë janë pjesë e qeverisë së Malit të Zi, janë të vendosura të propozojnë kandidatin e tyre për postin e Inspektorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare, duke shpresuar të hetojnë punën e agjencisë së inteligjencës, e cila akuzohet gjerësisht për shkelje që favorizojnë partinë e kryeministrit Milo Djukanoviç.

BIRN ka mësuar se partitë opozitare, të cilat hynë kabinetin qeverisës në fillim të majit si pjesë e marrëveshjes parazgjedhore, do të propozojnë një oficer inteligjence të dalë në pension, Gojko Pejoviç, për postin, mbajtësi i të cilit lejohet të shohë dosjet e operacioneve të shërbimeve sekrete dhe ato të mbikëqyrjes.

Nedeljko Rudoviç, një zyrtar i Lëvizjes opozitare Qytetare URA, konfirmoi se të tria partitë e opozitës do të paraqesin kandidatin e tyre për postin deri në fund të kësaj jave.

Ai i tha për BIRN të hënën se plani i parë për përfaqësuesit e opozitës në këtë post do të jetë parandalimi i abuzimeve dhe atë që ai e quajti “inxhinieri zgjedhore”.

“Agjencia e Sigurisë Kombëtare duhet të shndërrohet në një shërbim politik neutral,” tha Rudoviç.

Megjithatë, aleanca kryesore e opozitës, Fronti Demokratik, thotë gjithashtu se hapja e dosjeve sekrete nga epoka komuniste dhe ato nga vitet ’90 duhet të jenë detyra e parë e Pejoviçit.

Mali i Zi është një nga vendet e pakta ish-komuniste që nuk e ka bërë që deri më tani. Aleanca nuk është pjesë e qeverisë së re të formuar për të përfshirë opozitën. Megjithatë, një nga udhëheqësit e Frontit, Nebojsha Medojeviç, ka kërkuar për një hapje urgjente të dosjeve sekrete.

“Dosjet e UDB [Policisë sekrete komuniste të Jugosllavisë] duhet të hapen. Shumë politikanë, manjatë, intelektualë, shkrimtarë, aktorë, analistë, sidomos gazetarët dhe aktivistët e OJQ-ve do të gjenden mes bashkëpunëtorëve të UDBA-së,” parashikoi Medojeviç.

Pavarësisht një dekade të premtimeve dhe presionit ndërkombëtar, shumica e dosjeve të sigurimit të shtetit malazez mbeten të mbyllura, kryesisht për arsye politike, edhe pse vendet e tjera të Ballkanit filluan të hapin arkivat e tyre kohë më parë.

Shtatorin e kaluar, Kroacia i ka dorëzuar të gjitha dokumentet e shërbimeve sekrete që datojnë nga viti 1937 deri në 1990 në arkivat e shtetit, të cilat me kalimin e kohës do të lejojnë që ato të shihen nga publiku kroat, nën kufizime të caktuara.

Dokumentet vijnë nga UDBA, si dhe nga shërbimet sekrete të Mbretërisë së mëparshme të Jugosllavisë dhe ato të shtetit fashist kukull të Luftës së Dytë Botërore, Shtetit të Pavarur Kroat.

Në dhjetor 2015, Shqipëria filloi procesin e zgjedhjes së anëtarëve të zyrës që do të jetë në krye të hapjes së dosjeve sekrete të policisë, grumbulluar nën diktaturën komuniste të Enver Hoxhës.

Jo të gjitha vendet e Ballkanit kanë përqafuar transparencën. Në Serbi, ndërsa disa dokumente nga epoka komuniste janë deklasifikuar, dokumentet e luftërave të viteve 1990 janë ende të mbyllura.