Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës - Foto: KALLXO.com

Zyra e Kryeministrit flet pas akuzave për printim të certifikatave për veteranë të rrejshëm

Zyra e kryeministrit në largim, Ramush Haradinaj, i ka demantuar deklaratat e kandidatit të PDK-së për deputet Blerim Lafitit, se në këtë zyrë po printohen certifikata të veteranëve të rrejshme.

“Pas deklaratave te pabaza ne medie nga akterë të caktuar, Zyra përkatëse bazuar në kompetencat dhe përgjegjësitë që ka dhe në informacionet e sakta dhe konkrete ka lëshuar menjëherë reagim, duke i demantuar këto deklarime”, thuhet në përgjigje për KALLXO.com.

Ndërsa në reagimin e këshilltarit politik të kryeministrit dhe drejtori i Zyrës për Çështjet e Kategorive të dala nga Lufta e UÇK-së (ZÇKL), Gazmend Syla në qeverinë e Kosovës thuhet se të vetmet certifikata që janë shtypur gjatë mandatit të tyre janë ato të kategorive veteran-pjesëtar dhe veteran-pjesëmarrës, në bazë të listave emërore që janë nga Komisioni Qeveritar, si dhe certifikatat e humbura, dëmtuara apo ato me gabime teknike.

“Përgjegjësitë e Zyrës për Çështjet e Kategorive të dala nga lufta janë të përcaktuara në nenin 17 të Ligjit nr. 04/L-054; dhe ajo nuk ka të drejtë të lëshojë certifikata apo vërtetime të cilat nuk janë në përputhje me klasifikimin e kryer nga Komisioni. Komisioni, pjesë e të cilit unë nuk kam qenë fare, nuk ka më mandat, që nga janari 2017, ndërkohë që tërë arkivi gjendet në Prokurorinë e Shtetit për interes të hetimeve. Të vetmet certifikata që janë shtypur gjatë mandatit tonë, janë ato të kategorive Veteran-Pjesëtar dhe Veteran-Pjesëmarrës, në bazë të listave emërore që i kemi nga Komisioni Qeveritar, si dhe certifikatat e humbura, dëmtuara apo ato me gabime teknike”, ka thënë Syla.

Syla ka thënë  se gjatë mandatit të tij si drejtor i ZÇKL, ka qenë shumë bashkëpunues me Shoqatat e dala nga Lufta e UÇK-së, për të parandaluar keqpërdorimet.

“Përkundër asaj që pretendohet, Zyra për Çështjet e Kategorive të dala nga Lufta e UÇK-së ka bashkëpunuar ngushtë me organet e rendit dhe të drejtësisë për parandalimin dhe zbulimin e keqpërdorimeve të mundshme të statusit të Veteranit, Invalidit e Dëshmorit të UÇK-së. Kjo mbase i ka penguar dikujt. Shpresojmë që jo Shoqatave”, ka theksuar ai.

Dje, kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, Blerim Latifi, ka deklaruar se edhe këto ditë  po shpërndahen certifikata për veteranët e rrejshëm të luftës e të cilët printohen në Zyrën e Kryeministrit.

Latifi në Debat Plus të TV Dukagjinit tha se kanë informata të sakta që këto certifikata po shpërndahen nga partitë politike në prag të zgjedhjeve për vota elektorale.

Më 14 shtator të vitit 2018, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj 12 personave, përkatësisht Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaga, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari lidhur me listat e dyshimta të veteranëve.