Prokuroria po heton deklaratat e Blerim Latifit për vjedhje të votave

Deklaratat e kandidatit të Partisë Demokratike të Kosovës për deputet Blerim Latifi, se ka pasur vjedhje të votave brenda kandidatëve të partisë, po hetohet nga prokuroria.

Kështu ka bërë të ditur koordinatorja e Prokurorisë së Shtetit për zgjedhje, Laura Pula.

Pula e ftuar në emisionin “Jeta në Kosovë” tregoi se janë nën hetime lidhur me këto deklarata.

“ Ne jemi nën hetime dhe nuk dua të jap më shumë informata se mund t’i cënojmë hetimet”, tha ajo.

Më 10 tetor, Latifi Blerim Latifi ka thënë që humbjen PDK-së ia kanë shkaktuar vet kandidatët pasi që sipas tij, ata për të siguruar ulëse në Kuvendin e Kosovës kanë bërë ‘luftë të paskrupullt’.

“PDK- në nuk e ka mundur Vetëvendosje, e as LDK-ja! PDK- në e ka mundur PDK-ja: Lufta e paskrupullt e kandidatëve të saj për t’ia grabitur votat njëri tjetrit! Natyrisht, këtë luftë e kanë fituar ata që kanë pasur para dhe kanë kontrolluar infrastrukturën dhe logjistikën e partisë, për qëllime të veta”, ka thënë Latifi.

Zyrtarë të kësaj partie nuk i kishin komentuar këto deklarata.

Prokurorja gjithashtu ka treguar se lidhur me zgjedhjet e 6 tetorit, deri më tani janë ngritur 5 aktakuza ndaj 6 personave.

Lidhur me zgjedhjet e 6 tetorit dhe sfidat që e kanë përcjellur procesin e numërimit flasin:: Valdete Daka nga KQZ, Florent Spahija nga Demokracia në Veprim,  Laura Pula nga Prokuroria e Kosovës dhe Gyltene Sylejmani nga PZAP.