Latifi: Rrëzimi i Kurtit -një sipërmarrje e kotë politike të cilën do ta paguajë shtrenjtë LDK

Ish-këshilltari i Kadri Veselit dhe ish-kandidati i PDK-së për deputet të Kuvendit të Kosovës, Blerimi Latifi ka thënë se duke e marrë parasysh situatën e krijuar nga pandemia e coronavirusit askush nuk do të merret me dialogun Kosovë-Serbi.

“Tanimë është e qartë se në fokus të debatit zgjedhor amerikan do të jenë coronavirusi dhe pasojat e tij ekonomike. Askush nuk do t’u japë rëndësi sukseseve apo dështimeve në politikën e jashtme amerikane. Rrjedhimisht, as me Kosovën dhe Serbinë nuk do të merret kush seriozisht në Washington”, ka shkruar ai në Facebook

Sipas tij, duke e marrë parasysh që arritja e marrëveshjes këtë vit nuk do të jetë synim, atëherë edhe rrëzimi i Qeverisë Kurti ka qenë një veprim i kotë për të cilin do ta paguajë shtrenjtë vetë LDK.

“Kjo do të thotë se planet për një marrëveshje të shpejtë mes tyre, me shumë gjasa, do të shtyhen për vitin tjetër. Në këtë kontekst del se rrëzimi i Kurtit ka qenë një sipërmarrje e kotë politike, sipërmarrje të cilën kuptohet se do ta paguaj shtrenjtë LDK-ja”, ka theksuar ai.

Më 25 mars, pas një mocioni të iniciuar nga LDK qeveria Kurti ka rënë.

Mospajtimet për heqjen e tarifës si dhe shkarkimi i ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliut, për shkak të deklaratës së tij për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të pandemisë së coronavirusit janë përmendur si arsye nga LDK –ja për t’i dhënë fund koalicionit i cili para se të arrihej ishte quajtur si ‘koalicion i shpresës’.