Ekspozita e fotografëve norvegjezë mbush Bibliotekën Kombëtare me foto e thënie të diktatorëve të Koresë së Veriut  

Fotografi të diktatorëve të Koresë së Veriut dhe pano me thënie të ish- diktatorit Kim Jong Il, janë ekspozuar në hollin kryesor të Biblotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, në  kuadër të ekspozitës ‘Gardianët e parajsës”.

Ekspozita është hapur më 31 tetor nga kompania kinematografike “Traavik.Info”, në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare.

Kjo ekspozitë me fotografi paraqet momente e dukuri të përditshmërisë në Korenë e Veriut të kapura nga fotografët norvegjezë, Joerund F. Pedersen dhe Morten Traavik të cilët për 10 vjet kanë vizituar më shumë se 20 herë Korenë Veriore.

Pavarësisht se me rastin e hapjes së kësaj ekspozitë të enjten e kaluar, u fol mirë për ekspozitën, sot kanë nisur edhe reagime lidhur me të.

Blerim Latifi, profesor në Fakultetin Filozofik të UP-së, përmes një statusi në Facebook e ka quajtur këtë ekspozitë ‘një marketing për diktatorët’.

“Po thonë se ekspozimi i thënieve dhe fotografive të ish- diktatorit koreano -verior, në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani”, nuk ka asgjë të keqe, ngase është thjesht një instalacion artistik i një filan artisti. Nuk qëndron ky relativizim aspak. Në botën normale demokratike, përmbajtjet e kontaminuara, qoftë fizikisht, qoftë ideologjikisht, ekspozohen me sqarime kritike. P.sh. cigaret nuk mund të shiten pa u vendosur banderolën ku shkruan se konsumi i tyre rrezikon shëndetin. Libri “Main Kampf” i Hitlerit nuk mund të botohet pa shënime kritike për pasojat që ka pasur ky libër dhe rreziqet e tij”, shkroi Latifi.

“Përmbledhja e fjalimeve të Milosheviqit nuk mund të botohet pa sqarime kritike të pasojave që kanë pasur këto fjalime. Nëse kjo nuk bëhet, atëherë ekspozimi i përmbajtjeve të rrezikshme përbën marketing për këto përmbajtje. Njësoj si kjo pankarta më thënien e Kim Jong Il-it në muret e jashtme të Bibliotekës Kombëtare”, shtoi ai.

Në lidhje me këtë ekspozitë, ka reaguar edhe Shkëlqim Millaku, profesor në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren”

Përmes llogarisë së tij në Facebook, Millaku ka shkruar se kjo që shihet në fotografi në BK “Pjetër Bogdani” nuk ka nevojë për diskutim dhe studim.

“Pse në tempullin e dijes,  po na duhen këto gjera dhe ekspozime? Këtu ku janë vendosur fotografitë e diktatorëve. Dikur në vitin 2003, studentët kanë kërkuar për t’i vendosur disa fotografi të dëshmorëve, por ideja e tyre ishte refuzuar. I harruam dëshmorët…, i harruam studiuesit dhe shkrimtarët dhe tani janë ekspozuar figurat diktatoriale që nuk i shërbejnë aspak vendit dhe zhvillimit të dijes dhe të kulturës sonë. Ky veprim është i papranueshëm!”, ka shkruar MiIlaku.

Por me këto reagime nuk po pajtohet Drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Fazli Gajraku.

Ai në një prononcim për KALLXO.com ka thënë  Biblioteka Kombëtare i ka mundësuar regjisorit Morten Traavikut që të hapë ekspozitë në Bibliotekë, e përcjellur edhe me një film dokumentar.

“Opinioni publik ka mendimin vet për aq sa e ka edhe autori i cili, ne si bibliotekë i japim mediave mundësi kontakti me Traavik me u prononcu për këtë lloj figurimi, për këtë lloj figurash që ai e ka bërë brenda ekspozitës. Por ne nuk ndihemi të ofenduar, pasi ne kemi lejuar lirinë e një autori ta realizojë në ambientet e Bibliotekës Kombëtar nëpërmes fotografive dhe një filmi dokumentar”, ka thënë drejtori Gajraku.

KALLXO.com ka drejtuar pyetje edhe në adresë të njërit prej fotografëve të ekspozitës dhe po pret përgjigje.

Ekspozita “Gardianët e parajsës” është hapur të enjten e kaluar nga kompania kinematografike “Traavik.Info”  në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”.

Ekspozita përbëhet nga fotografi të cilat  paraqesin momente e dukuri të përditshmërisë në Korenë e Veriut, të bëra nga Joerund F. Pedersen dhe Morten Traavik, gjatë qëndrimi të tyre në Korenë e Veriut.

Sipas njoftimit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, “Gardianët e parajsës” paraqet fotografi dhe objekte unike nga jeta e përditshme e koreanëve të veriut, në të gjithë hapat e jetës, duke i lënë shikuesit mbresa të freskëta dhe nganjëherë të papritura, nga ajo çka fshihet pas fasadës së kontrolluar fort të “vendit më të mbyllur në botë”.

Gjatë ceremonisë së hapjes së kësaj ekspozite është shfaqur edhe Dita e Çlirimit (2016), realizuar po nga regjisori Traavik.