PDK - Foto: Facebook

PDK hesht për akuzat se në Drenicë ka pasur blerje votash

Zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), nuk i kanë komentuar akuzat e kandidatit për deputet nga kjo parti, Blerim Latifi, i cili ka thënë se ky subjekt politik ka blerë vota në ditën e zgjedhjeve më 6 tetor në rajonin e Drenicës.

Kandidati për deputet i PDK-së, Mërgim Lushtaku i kontaktuar nga KALLXO.com ka thënë se nuk i ka lexuar akuzat në fjalë, ndonëse ka dëgjuar për to.

“Nuk merrna me atë pjesë, për çdo pyetje më shëno në e-mail. Më tha dikush që ka shkru diçka, por nuk merrna me këtë çështje se as nuk e kam lexu”, tha Lushtaku.

KALLXO.com e ka kontaktuar edhe kandidatin për deputet nga radhët e PDK-së, Bekim Haxhiu, por i njëjti nuk ka dhënë qëndrim për këtë çështje.

“E thirr zëdhënësin e partisë për çështje të partisë”, ka thënë shkurt Haxhiu për KALLXO.com.

KALLXO.com ka provuar të marr një qëndrim edhe nga zyrtarë të tjerë të PDK-së, si Sami Lushtaku, Uran Ismaili e Blerand Stavileci, por të njëjtit kanë qenë të paqasshëm përmes telefonit.

Kandidati i PDK-së për deputet në Kuvendin e Kosovës, Blerim Latifi në Facebook sot ka shkruar se humbjen PDK-së ia kanë shkaktuar vet kandidatët pasi që sipas tij, ata për të siguruar ulëse në Kuvendin e Kosovës kanë bërë ‘luftë të paskrupullt’.

“PDK-në nuk e ka mundur Vetëvendosje, e as LDK-ja! PDK- në e ka mundur PDK-ja: Lufta e paskrupullt e kandidatëve të saj për t’ia grabitur votat njëri tjetrit! Natyrisht, këtë luftë e kanë fituar ata që kanë pasur para dhe kanë kontrolluar infrastrukturën dhe logjistikën e partisë, për qëllime të veta”, ka thënë Latifi.

Tutje Latifi në postimin e tij ka thënë që i vetmi person që ka menduar për partinë në këtë fushatë, është vet kryetari Kadri Veseli.

Sipas Latifit në Drenicë votat janë blerë nga 5 deri në 10 euro.

“Kundërshtarët më primitivë nuk i kam në partitë tjera, por brenda PDK-së. Dhe, më e dhimbshmja ka qenë kur kam parë mjerimin politik në të cilin e kanë zhytur Drenicën, ku votat janë blerë me nga 5 deri në 10 euro, ose me metra drush për dimër, ose me lëmosha të tjera. Aty ku njerëzit shesin të drejtat e tyre politike, aty është i pakuptimtë çdo debat dhe çdo ide politike”, ka theksuar Latifi.

Këshilltari i Kadri Veselit akuzon PDK-në për blerje votash