Ilustrim

Ujësjellësi, turbullim i ujit në kanalin e Ibër Lepencit, këto zona do kenë reduktime

Kompania Rajonale e Ujësjellësit ‘Prishtina’ ka njoftuar se si pasojë e turbullimit të ujit në kanalin e Ibër Lepencit nga reshjet e fundit, do ketë reduktime në disa zona.

“Si pasojë e reshjeve të shiut ditët e fundit, janë rritur rrjedhjet sipërfaqësore në zonat fushore dhe pastaj të njëjtat kanë përfunduar sërish te kanali i Ibër Lepencit, kanal prej të cilit merret uji i pa përpunuar për tu trajtuar pastaj për pije (ITUP Shkabaj ). Si shkak i kësaj, kemi rritje të turbullirës në atë nivel që bënë të pamundur trajtimin e ujit për pije konform standardeve dhe teknologjisë që posedojmë,” thuhet në njoftim.

Sipas Ujësjellësit zonat që do kenë reduktime janë: Obiliqi, Fushë Kosova, Drenasi dhe lagjja Kalabria në Prishtinë.

Këto reduktime do jenë në mesditë dhe gjatë natës, kryesisht për ata që furnizohen nga liqeni i Badovcit deri sa të ketë një përmirësim të cilësisë të ujit.

“Si pasojë e ndërprerjes së punës në ITUP Shkabaj, edhe disa zona tjera në Prishtinë do të kenë reduktime në periudhën e mesditës dhe gjatë natës, më konkretisht ata të cilët furnizohen me ujë nga sistemi i Badocit si dhe nga Kodra, për shkak të alternativave teknike për furnizim të zonave më të afektuara nga kjo turbullirë. Në momentin që kushtet lejojnë që uji të trajtohet dhe të garantohet cilësia e duhur pas trajtimit, ne do e rikthejmë gjendjen normale me trajtim dhe furnizim”, thuhet në njoftim.