Zhvillimet e fundit nga lufta në Ukrainë

Të paktën tre persona janë konfirmuar të vdekur si pasojë e përmbytjeve nga shkatërrimi i digës Nova Kakhovka, raportuan mediat ukrainase të mërkurën. Zyrtarët ukrainas thonë se përmbytja do të lë qindra mijëra njerëz pa qasje në ujë të pijshëm, do të kënetojë dhjetëra mijëra hektarë tokë bujqësore dhe do t’i shndërrojë të paktën 500,000 hektarë të privuar nga ujitja në “shkretëtira”.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy ka thënë në video-fjalimin e natës se është e pamundur të parashikohet se sa njerëz do të vdesin në zonat e pushtuara nga Rusia për shkak të përmbytjeve, duke kërkuar një “reagim të qartë dhe të shpejtë nga bota” për t’i mbështetur viktimat.  

Banka Botërore do ta mbështesë Ukrainën duke kryer një vlerësim të shpejtë të dëmeve dhe nevojave, ka deklaruar të mërkurën Anna Bjerde, drejtoresha menaxhuese për operacionet e Bankës Botërore, duke shtuar se shkatërrimi i digës Novo Kakhovka ka “shumë pasoja shumë serioze për ofrimin e shërbimeve thelbësore dhe mjedisin më të gjerë”.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, i ka thënë Putinit në një telefonatë të mërkurën se është i nevojshëm një hetim gjithëpërfshirës për shkatërrimin e digës. Erdogan i tha Putinit se një komision ndërkombëtar që përfshin OKB-në dhe Turqinë mund të formohet për të shqyrtuar këtë çështje, thuhet në një deklaratë nga zyra e presidentit turk.

Britania nuk mund të thotë ende se Rusia është përgjegjëse për shkatërrimin e digës Nova Kakhovka, ka deklaruar të mërkurën kryeministri Rishi Sunak.  

Njëkohësisht edhe SHBA “nuk mund të thotë përfundimisht” se kush ishte përgjegjës për shkatërrimin e digës, tha të martën zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby.  

Franca do t’i dërgojë ndihmë Ukrainës “për t’i përmbushur nevojat imediate” pas shkatërrimit të digës, ka thënë presidenti Emmanuel Macron. Macron tha se e ka shprehur solidaritetin me popullin e Ukrainës pas asaj që ai e përshkroi si një “akt mizor që po rrezikon popullsinë”.

Ukraina nuk e ka nisur ende një kundërofensivë të planifikuar për ta rimarrë territorin e pushtuar nga Rusia, ka thënë të mërkurën Oleksiy Danilov, sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës. Danilov i hodhi poshtë deklaratat e zyrtarëve rusë të cilët kanë thënë se kundërofensiva tashmë ka filluar, duke shtuar se fillimi i saj do të jetë i qartë për të gjithë kur të ndodhë.

Ministria ruse e mbrojtjes ka thënë se “diversantët ukrainas” kanë hedhur në erë një pjesë të tubacionit të amoniakut Togliatti-Odesa të hënën, i cili transporton plehra nga Rusia në Ukrainë në rajonin e Kharkiv.  

Një grup vendesh të NATO-s mund të jenë të gatshme të vendosin trupa në terren në Ukrainë nëse shtetet anëtare nuk japin garanci të prekshme sigurie për Kievin në samitin e aleancave në Vilnius, ka thënë ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s Anders Rasmussen. Shefi aktual i NATO-s, Jens Stoltenberg ka thënë se aleanca duhet t’i diskutojë opsionet për t’i dhënë Ukrainës garanci sigurie për kohën pas luftës së saj me Rusinë./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala