Zhvillimet e fundit nga lufta në Gaza

Zyrtarët shëndetësorë në Rripin e Gazës thonë se më shumë se 20,000 palestinezë janë vrarë në luftë deri më tani. Ministria e Shëndetësisë e Gazës e drejtuar nga Hamasi ka thënë të premten se ka dokumentuar 20,057 vdekje në luftime. Më parë është thënë se afërsisht dy të tretat e të vdekurve janë gra ose të mitur.

Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar se janë të gatshme ta mbështesin një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që synon ta nxisë rrjedhën e furnizimeve humanitare në Gaza pas një jave negociatash dhe ndryshimesh thelbësore, duke përfshirë heqjen e thirrjes për një “pezullim urgjent të armiqësive”.

Votimi tani është shtyrë deri të premten. Agjencia e lajmeve Reuters thotë se votimi u vonua pasi Rusia (gjithashtu një fuqi e vetos në Këshillin e Sigurimit të OKB-së) dhe disa anëtarë të tjerë të këshillit u ankuan gjatë bisedimeve me dyer të mbyllura për ndryshimet e bëra për ta qetësuar SHBA-në, sipas diplomatëve.

Shtetet e Bashkuara kanë qenë gjithashtu të kujdesshme për një referencë në projekt-rezolutën për një ndërprerje të armiqësive, sipas diplomatëve. SHBA dhe Izraeli e kundërshtojnë një armëpushim, duke besuar se do të përfitonte vetëm Hamasi. Uashingtoni në vend të kësaj mbështet pauzat në luftimet për t’i mbrojtur civilët dhe lirimin e pengjeve të marra nga Hamasi. Projekt-rezoluta tani e ka zbutur gjuhën për të kërkuar nga këshilli “hapa urgjentë për ta lejuar menjëherë qasjen e sigurt dhe të papenguar humanitar, si dhe për krijimin e kushteve për një ndërprerje të qëndrueshme të armiqësive”.

Programi Botëror i Ushqimit thotë se analiza e tij e fundit e sigurisë ushqimore për Gazën tregon se e gjithë popullsia e Gazës është në krizë ose nivele më të këqija të pasigurisë akute ushqimore.

Nënsekretari i përgjithshëm i OKB-së për çështjet humanitare dhe koordinatori i ndihmës emergjente, Martin Griffiths, ka thënë në lidhje me një raport nga Klasifikimi i Fazës së Sigurisë Ushqimore të Integruar: “Ky njoftim për rrezikun e urisë në Gaza është kthjellues, por jo befasues. Ne kemi paralajmëruar për javë të tëra se, me një privim dhe shkatërrim të tillë, çdo ditë që kalon do të sjellë më shumë uri, sëmundje dhe dëshpërim për popullin e Gazës.”/The Guardian