Zëvendëskryeministri Hoti: Tarifa na shpie në getoizim

Zëvendëskryeministri i Kosovës që vjen nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti, edhe një herë ka shfaqur qëndrimin për heqje të tarifës 100 për qind ndaj mallrave që vijnë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Hoti përmes një publikimi në Facebook ka thënë se nuk është gjë e re angazhimi i Serbisë për defaktorizimin e subjektivitetit të Kosovës.

“Angazhimi i Serbisë për defaktorizimin e subjektivitetit të Kosovës është sistematik, që tregon se ajo është kundër marrëveshjes për normalizim. Kjo nuk është gjë e re”, ka shkruar ai.

Por sipas Hotit, i ri është konteksti politik në Kosovës, ku institucione e reja që kanë legjitimitet të plotë qytetarë tani marrin përsipër agjendën e dialogut dhe politikës së jashtme.

“Është e qartë se kjo agjendë e qeverisë së re mund të ketë sukses vetëm në koordinim SHBA dhe BE”, është shprehur ai, duke shtuar se paralizimi eventual i institucioneve të reja të Kosovës karshi këtyre temave për shkak të “kauzave pseudopolitike, siç është tarifa, na shpie në getoizim”

“Ne nuk do të lejojmë getoizimin e Kosovës, sepse kjo i lë hapësirë Serbisë të dëmtojë pozitën tonë ndërkombëtare”, thuhet në shkrimin e tij.

Partnerët qeveritar Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës së fundi kanë shpërfaqur dallimet e tyre sa i përket vendimit për tarifën doganore.

LDK-ja ka bërë thirrje në vazhdimësi që ky vendim të hiqet, për shkak të partneritetit të Kosovës me BE-në dhe ShBA-në.

Ndërkaq, kryeministri i vendit Albin Kurti ka paralajmëruar se që nga data 15 mars do të hiqet tarifa për lëndën e  parë që importohet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Kurti  ka thënë së nëse Serbia dëshmon se do ndalë fushatën për çnjohje ndaj Kosovës, Qeveria e Kosovës do ta largojë tarifën 100% plotësisht më 1 prill 2020.

Në anën tjetër, fushata e Serbisë për çnjohje të pavarësisë së Kosovës ka vazhduar.

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë të martën se Sierra Leone e ka tërhequr njohjen e shtetit të Kosovës.

Sierra Leone, një shtet në perëndim të Afrikës me rreth 7.6 milionë banorë, e kishte njohur Kosovën në qershor të vitit 2008, më pak se tre muaj pasi vendi e kishte shpallur pavarësinë.