Zemaj zhvillon takim virtual me kryetarët e komunave, kërkon koordinim

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka bërë të ditur se ka zhvilluar një takim virtual me kryetarët e Komunave të Kosovës.

Sipas Zemajt, në këtë takim u diskutua situata me COVID-19 në komuna si dhe koordinimi për respektimin e masave kundër këtij virusi.

“Nga java e kaluar, kemi filluar me masa më të rrepta për disa qytete të Kosovës dhe do të vazhdojmë  çdo ditë, me vendime operacionale, për komuna të caktuara në bazë të kategorizimit si pasojë e numrit të të infektuarve”, ka shkruar ai.

Sipas tij, rritja e numrit të rasteve me COVID-19 kërkon që të rritet bashkëpunimi me komunat.

“Kërkohet bashkëpunim i ngushtë me komunat e Kosovës me theks me Kryetarët dhe Shtabet Komunale Emergjente dhe po ashtu bashkëpunim i të gjithë mekanizmave të institucioneve qendrore dhe lokale për zbatim rigoroz të masave të dala nga niveli qendror, është i domosdoshëm. Kërkesat dhe rekomandimet do të jenë në funksion të luftës efikase kundër virusit Covid 19. Bashkë ia dalim”, ka thënë në fund ministri.

Deri më tani, në vendin tonë janë shënuar 24,155 raste me COVID-19, 755 viktima dhe 16,122 të shëruar.