Armend Zemaj. Foto: Urim Krasniqi/Kallxo.com

Zemaj: Shteti duhet të jetë i hapur

Ministri i Shëndetësisë ka thënë se qytetarët duhet të zbatojnë masat ndaj COVID-19, duke theksuar se ‘shteti duhet të jetë i hapur’.

“Shteti duhet të jetë i hapur. Nxënësit duhet të vazhdojnë të vijonë mësimin në shkolla, bizneset duhet të vazhdojnë të punojnë, qytetari të mos varfërohet nga pamundësia për të punuar. Andaj, të jemi të kujdesshëm dhe ta mundësojmë funksionimin e hapur të shtetit për të gjithë”, ka shkruar Zemaj në facebook.

Ministri i Shëndetësisë, ka thënë se në luftën kundër pandemisë duhet të jenë së bashku të gjithë akterët shtetëror.

“Kemi dëshmuar se sa herë kemi qenë bashkë, kemi fituar. Andaj, edhe në luftë kundër Covid-19, pashmangshëm do të dalim fitues! Të vazhdojmë fuqishëm, secili në përgjegjësitë që kemi, qeveria, policia, inspektoratet, spitalet, qytetarët dhe të gjithë akterët tjerë, bashkë kundër pandemisë”, ka theksuar ministri.

“Zëri i ekspertëve të vazhdoj të jetë zëri i vetëm që duhet të dëgjohet, vendimet e institucioneve   duhet të respektohen dhe secili prej nesh, t’i zbatojë ato. Ta mbrojmë veten dhe të afërmit, të mbrojmë shëndetin publik dhe ta ndihmojmë shtetin”, ka shtuar ai.

Zemaj ka kërkuar që të respektohet ligji dhe të zbatohen masat anti-COVID.

“Ndërsa për ata që shkelin masat anti Covid- 19, duhet të zbatohet në përpikëri Ligji për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, nga organet e rendit”, ka thënë ai.

Që nga 13 marsi e deri më tani në Kosovë janë regjistruar 17.757 raste me COVID-19.

Prej tyre, 15.034 pacientë janë shëruar, ndërkaq raste aktive vazhdojnë të jenë edhe 2.062, ndërsa deri më tani kanë vdekur 661 persona.