Zemaj konfirmon se Mitrovica këtë javë është në zonën e verdhë, nuk do ketë orë policore

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, sot gjatë një vizite në komunën e Mitrovicës së Jugut i pritur nga kryetari Agim Bahtiri, kryesuesi i Kuvendit Komunal, Safet Kamberi dhe drejtoresha e Shëndetësisë, Erseka Hasanaj, diskutuan për gjendjen epidemiologjike në qytetin e Mitrovicës si dhe masat e reja që janë marrë nga Qeveria e Kosovës.

Komuna e Mitrovicës së Jugut ka njoftuar ministrin Zemaj për masat e marra nga Komuna.

Ndërsa sa u përket masave të vendosura nga Qeveria lidhur me vendosjen e Komunës së Mitrovicës në zonë të kuqe, kryetari Bahtiri ka reaguar ndaj këtij vendimi, duke e arsyetuar para ministrit Zemaj me shifra të sakta të personave të prekur në qytet të marra çdo ditë nga IKShP-ja, dhe pas këtyre informatave të detajuara dhe të argumentuara, ministri Zemaj është dakorduar që të përgatitet vendimi për qytetin e Mitrovicës që këtë javë të vazhdojë të jetë në zonën e verdhë, pra nuk do të ketë orë policore.

Zemaj tutje ka thënë se Ministria e Shëndetësisë është duke fuqizuar aktivitetet e saj si në aspektin e shtimit të kuadrit mjekësor, ashtu edhe të masave mbikëqyrëse për zbatimin e Manualit për mbrojtje nga përhapja e Covid-19, të miratuar nga Ministria.

Ministri Zemaj tha se Ministria do të jetë afër komunave duke siguruar mbështetje për kujdesin parësor shëndetësor, duke e ditur rëndësinë e këtij niveli që është porta e parë e luftimit të sëmundjeve.

Pas vizitës së realizuar në Komunën e Mitrovicës, kryetari Bahtiri së bashku me kryesuesin Kamberi dhe ministrin Zemaj, me bashkëpunëtorët e tij, kanë vazhduar vizitën në Spitalin Rajonal të Mitrovicës “Dr. Sami Haxhibeqiri”, ku janë pritur nga drejtori i këtij Spitali, Enis Istrefi, me të cilin kanë biseduar për kapacitetet e kësaj qendre për trajtimin e pacientëve me COVID-19, si dhe nevojat që ka personeli mjekësor në luftimin e kësaj pandemie.

Këto komuna do të hynë në zonë të kuqe, të portokalltë dhe të gjelbër