Foto: Facebook.com/VlodymyrZelenskyy

Zelenskyy: Pushtimi i Ukrainës është fillimi i një lufte kundër Evropës

Presidenti ukrainas, Vlodymyr Zelenskyy ka thënë sot se pushtimi i Ukrainës nga Rusia nuk është një pushtim i thjeshtë, por fillimi i luftës kundër Evropës.

Këtë e ka thënë ai përmes një postimi në Facebook.

“Pushtimi i Rusisë në Ukrainë nuk është thjesht një pushtim, është fillimi i luftës kundër Evropës. Kundër unitetit të Evropës. Kundër të drejtave themelore të njeriut në Evropë. Kundër të gjitha rregullave të bashkëjetesës në kontinent. Kundër faktit që shtetet evropiane refuzojnë të ndajnë kufijtë me dhunë”, ka shkruar Zelenskyy.

Sot, është dita e dytë e pushtimit rus të Ukrainës – lufta e parë e madhe tokësore në Evropë në dekada.

Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se ka nisur, sipas tij, një operacion “special” për “çmilitarizimin dhe denacifikimin” e Ukrainës.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.

Kosova po ashtu i’u bashkua ShBA-së dhe Evropës për sanksione ndaj Rusisë.