Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky dhe presidenti amerikan, Joe Biden (dhjetor 2022), Foto: Facebook

Zelensky do të takohet me Bidenin dhe Macronin gjatë qëndrimit në Francë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden do të takohet me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky këtë javë gjatë qëndrimit në Francë ku do të marrin pjesë në shënimin 80-vjetorit të zbarkimit të trupave aleate në Normandi gjatë Luftës së Dytë Botërore, tha më 4 qershor këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Jake Sullivan.

Presidenti francez, Emmanuel Macron do të presë gjithashtu presidentin ukrainas në Paris më 7 qershor, njoftoi Pallati Elyse.

Ndërkohë, kryeministrja italiane, Georgia Meloni tha se Zelensky do të marrë pjesë në samitin e G7 të vendeve më të zhvilluara që do të mbahet nga 13 deri më 15 qershor në rajonin jugor italian të Pulias.

Biden do të marrë pjesë gjithashtu në samit, njoftoi Shtëpia e Bardhë.

Gjatë ngjarjes së 13 dhe 14 qershorit në Pulia, Biden dhe udhëheqësit e G7 do të diskutojnë “një sërë çështjesh më të ngutshme globale, duke përfshirë mbështetjen e palëkundur për Ukrainën”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre.

“Udhëheqësit e G7 do të ndërmarrin hapa për të promovuar sigurinë ekonomike dhe qëndrueshmërinë”, thuhet në deklaratë.

Ajo shtoi se Biden dhe udhëheqësit e G7 do të “dyfishojnë angazhimin e tyre për të mbështetur vendet në zhvillim që duan të investojnë në të ardhmen e tyre”./REL