Xhelal Sveçla konfirmon se Hashim Thaçi e kaloi kufirin dhe ishte i ulur përpara në veturë

Ushtruesi i detyrës së Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka mbajtur një konferencë për media ku ka folur për lëvizjen e dyshimtë të presidentit Hashim Thaçi, mbrëmjen e kaluar për në Shqipëri.

KALLXO.com raportoi ekskluzivisht sot gjatë ditës që presidenti i vendit kishte kaluar mbrëmë në Shqipëri.

Vet ushtruesi i detyrës së ministrit në detyrë, Xhelal Sveçla ka bërë të ditur së në veturë mund të ketë qenë edhe deputeti Behgjet Pacolli, por ka deklaruar se nuk ka ende konfirmim zyrtar.

Sipas tij, presidenti e ka kaluar kufirin vetëm për një 1 orë dhe ka qenë i ulur përpara, që sipas tij është kundër rregullave të sigurisë.

“Jam njoftuar se presidenti Hashim Thaçi e ka kaluar kufirin në ora 18:00 dhe është kthyer pak pas orës 19:00. Kur eskorta e presidentit është ndalur, është konstatuar se në veturën e dytë është presidenti dhe është vërejtur që presidenti është ulur në ulësen e parë, përkundër rregullave të sigurisë për personat VIP. Për shkak të xhamave të zi, nuk është mundur të vërehet se kush është mbrapa”, tha në konferencë për media, Xhelal Sveçla.

Sipas tij, për çdo vizitë e presidentit duhet të jetë në dijeni edhe protokolli i shtetit, e në këtë rast s’ka pasur asnjë njoftim paraprak.

“Çdo vizitë e presidentit jashtë vendit, qoftë zyrtare apo private duhet të konfirmohet nga protokolli i shtetit. E kjo është konfirmuar se protokolli nuk është njoftuar për vizitën e presidentit”, tha ai.

“Deri më tani nuk kemi konfrimim se z. Thaçi ka qenë i shoqëruar nga z.Pacolli, megjithatë nëse një skenar i tillë është i vërtetë, do të paraqiste mos-respektim të plotë të organeve të vendit”, është shprehur tutje Sveçla.

Në rast se një diçka e tillë është e vërtetë, Svecla ka deklaruar se presidenti duhet t’i nënshtrohet karantimimit.

“Nëse vërtetohet se presidenti ka qenë i shoqëruar nga z.Pacolli, obligohet që t’i nënshtrohet karantimit apo vet-izolomit”, tha Sveçla i cili kërkoi nga presidenti të njoftoj se pse ka shkelur rregullat e protokollit.