Xharra: Ekspozita "Reporting House" ka për qëllim shënimin e kontributit të gazetarëve vendorë dhe atyre ndërkombëtarë

Në emisionin “Kallxo Përnime” po transmetohet reportazhi që tregon për punët e mëdha për shndërrimin e ish-shtëpisë së mallrave “Gërmia” në hapësirë kulturore për ekspozitën “Reporting House” apo “Shtëpia e Gazetarëve”.

Të hënën, më 10.06.2024, në ora 18:00, do të lansohet ekspozita “REPORTING HOUSE”.

Drejtoresha e Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese (BIRN Kosova), Jeta Xharra, njëherësh realizuesja e ‘Reporting House’ ka thënë se kjo ekspozitë ka për qëllim shënimin e kontributit të gazetarëve vendorë dhe atyre ndërkombëtarë, të cilët ndikuan në thirrjen e bombardimeve të NATO-së gjatë luftës në Kosovë.

“Kjo ekspozitë ka për qëllim që 25 vite pas përfundimit të luftës të shënojmë punën që e kanë bërë gazetarët e Kosovës dhe ata të huaj për të kontribuar deri në momentin që kemi mbërri dhe është thirrë bombardimi i NATO-së”- tha Xharra në emisionin “Kallxo Përnime”.

Xharra theksoi që në ekspozitën e cila do të hapet të hënën, vizitorët do të shohin rezistencën paqësore dhe atë të armatosur.

Ajo tha se mediumi prestigjioz BBC ka dhuruar arkivën më të madhe për “Reporting House”.

“Në ‘Reporting House’ do të  prezantohen arkivat e mediave ndërkombëtare e arkivin më të madh e ka dhënë BBC-ja. Mbi 50 reportazhe të cilat janë bërë gjatë luftës por edhe të tjera të cilat janë bërë që nga viti 1992 do të tregohen në ekspozitë. Arkivi kryesor është prej BBC-së, ky arkive është ruajtur prej një kameramani që ka qenë në Kosovë gjatë kohës së luftës”- ka thënë Xharra.

“Këtu do të ketë arkiva nga mediumi publik gjerman, irlandez, japonez si dhe arkiva të mediumeve tona vendore siç është “Koha Ditore”, RTV21 që në kohën e luftës xhirimet kanë qenë nga Radio 21, arkiva nga RTK e që janë video të arkivit të RTP-së”- vazhdon Xharra.

Ekspozita prezanton vepra të artistëve që vijnë prej vendeve të ndryshme dhe emra të njohur nga bota e artit si Anri Sala nga Shqipëria, Adrian Paci nga Shqipëria, Goncalo Mabunda nga Mozambiku, Lala Meredith Vula nga Anglia, Zhana Kadyrova nga Ukraina, Lana Cmaijcanin nga Bosna dhe Hercegovina, Olafur Eliasson nga Islanda-Danimarka, Laura Imami nga Anglia dhe Besa Llugiqi e deri te artistët e rinj si Vullnet Jakupi dhe Vita Kasapolli nga Kosova.

Kontribuesit në këtë ekspozitë janë Jeremy Bowen, Ben Brown, Ilaz Bylykbashi, Thomas Dvorzak, Alan Chin, Donika Shahini, Paul Lowe, Max Stahl, Ridvan Slivova, David Loyn, Jehona Lushaku, Besnik Mehmeti, Nik Millard, Andrew Testa, Pal S. Refsdal, Flaka Surroi, Hazir Reka, Marija Ristiq, Fred Scott, Eliza Hoxha, Vaughan Smith, Nora Weller, Sean Whelan, Goran Tomaseviq, Sami Mustafa, Alban Bujari, Linda Gusia, Eki Rrahmani, Gazmend Avdiu, detektor.ba, Srebrenica Memorial Center, Anibar, Koha Ditore, RTK dhe Oral History Kosovo.

Më 10 qershor në Prishtinë lansohet ekspozita ‘REPORTING HOUSE’