Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Xhafer Tahiri premton punësimin e 60 grave në fabrikën e tekstilit në Stanoc të Epërm (VIDEO)

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, në Debat Pernime ka thënë se do të punësohen 60 gra në punëtorinë e tekstilit në fshatin Stanoc i Epërm.

Në këtë fshat ka pasur protesta kundër projektit për vendosjen e punëtorisë së tekstilit.

“Natyrisht nuk do ta zhvendosim, është fabrikë e krenarisë së këtij mandati ku do të punësohen 60 gra nga Stanoci i Epërm. Fabrika është në përfundim të procesit, është vonuar për shkak të protestave. Dua ta falënderoj këtë investitor që ka qëndruar me vendosmëri në këtë projekt. Do të jetë punëtori e tekstilit”, ka thënë Tahiri.

Po ashtu Tahiri ka premtuar se do të subvencionojë përpunuesit e qumështit e do të bëjnë pagesën për sistemin e ujitjes për të gjithë fermerët.

“Duke dëgjuar kërkesat e fermerët ne kemi vendosur që të kemi 4 cent subvencionim për të gjithë prodhuesit e qumështit. Në programin tonë kemi 0 taksë për fermat dhe objektet tjera bujqësore dhe pagesën e sistemit të ujitjes nga Ibër- Lepenci”, ka shtuar Tahiri.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Vushtrrisë diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar të komunës së Vushtrrisë: Albert Maxhuni nga Nisma Socialdemokrate; Arsim Rexhepi nga LVV; Ergin Sunguri nga KDTP; Ferit Idrizi nga PDK; Jeton Salihu – kandidat i pavarur; Mensut Ademi nga AAK dhe Xhafer Tahiri nga LDK.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Vushtrrisë: Ardita Hasani dhe Shqiponjë Mikushnica nga Nisma Socialdemokrate; Amire Ajeti dhe Florina Sadiku nga AAK; Bahrie Ademaj dhe Gresa Muli nga LVV; Gonxhe Halili dhe Kaltrina Haziri LDK; Melihate Basholli Latifi dhe Nurije Halili nga PDK.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.