Xhafer Tahiri. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Xhafer Tahiri: Peticioni kundër dhënies në shfrytëzim të shkollës së vjetër të Stanofcit, dyshohet se është i falsifikuar

Objekti i vjetër i shkollës, “Migjeni” në fshatin Stanofc i Epërm të Vushtrrisë, është bërë mollë sherri në mes komunës dhe një pjesë të banorëve.

Ky objekt është dhënë në shfrytëzim nga komuna me një afat një vjeçar për hapjen e një rrobaqepësie nga investitor privat.

Kjo po kundërshtohet nga një pjesë e banorëve, të cilët kanë dorëzuar edhe një peticion kundër këtij vendimi.

Kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri ka vënë në dyshim peticionin, duke theksuar se ai mund të jetë i falsifikuar e që për pasojë të njëjtin do ta dërgojnë në organet kompetente.

Tahiri përmes një konference për media ka thënë se kanë vërejtur që emrat e personave që janë në peticion, nuk përputhen me nënshkrimin dhe numrin personal të tyre.

“Si komunë kemi dyshime që peticioni që është kundër që objekti i shkollës, ‘Migjeni’ të mos jepet në shfrytëzim për hapjen e rrobaqepësisë, që mundëson punësimin e 60 grave, është i falsifikuar nga kryetari i fshatit, që është edhe asamblist i Vetëvendosjes, Ymer Haradinaj. Ne kemi vërejtur një numër të rasteve të emrave të qytetarëve që nënshkrimet e tyre nuk përputhen me numrat e tyre personal. Po ashtu kemi qytetarë që janë lajmëruar të cilët po dyshojnë se emrat e tyre janë shkruar në këtë peticion pa dijeninë dhe pa pëlqimin e tyre. Sot, këtë peticion do ta dërgojmë në organet kompetente që të merren me falsifikuesit”, tha ai.

Tutje, Tahiri ka shtuar se Komuna nuk do të tërhiqet nga një projekt i tillë.

“Mos pengoni punësimin e grave, lejoni punësimin e grave të Stanovfit, lejoni që ato të krijojnë të ardhura për vete dhe familjen. Komuna nuk tërhiqet nga ky projekt. Do të ballafaqohen me fuqinë e ligjit ata që do ta kundërshtojnë një gjë të tillë”, tha kryetari i Vushtrrisë.

Të hënën banorët e Stanofcit të Epërm kishin protestuar kundër vendimit të komunës për dhënien në shfrytëzim të objektit të vjetër të shkollës, për hapjen e një rrobaqepësie e cila thuhet se do të punësoj 60 gra.

Kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri përmes një postimi në facebook kishte thënë se një kundërshtim i tillë është politik, pasi që kryetari i fshatit është njëkohësisht edhe asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal.

Objekti i vjetër i shkollës së Stanofcit të Epërm, mollë sherri në mes Komunës dhe një pjese të banorëve