Objekti i vjetër i shkollës së Stanofcit të Epërm, mollë sherri në mes Komunës dhe një pjese të banorëve

Disa nga banorët e fshatit Stanofc i Epërm të Vushtrrisë nuk po pajtohen me vendimin e kryetarit të kësaj komune, Xhafer Tahiri që objekti i shkollës së vjetër në këtë fshat të jepet në shfrytëzim për hapjen e një  fabrike tekstili.

Sipas njoftimit të datës 5 mars të kryetarit Tahiri, objekti i vjetër i shkollës, “Migjeni” është dhënë pa kompensim nga komuna me qëllim krijimin e vendeve të reja të punës.

Ymer Haradinaj, kryetar i fshatit ka thënë për KALLXO.com se ata kërkojnë që ky objekt të shfrytëzohet për diçka tjetër duke shtuar se ata kanë bërë edhe peticion.

“Kërkesat tona janë që ky objet të shfrytëzohet për bibliotekë, për çerdhe për fëmijë, shtëpi të kulturës apo muze. Shkolla të jetë objekt edukativo arsmior, dhe jo të u jepet bizneseve të caktuara. Kemi bërë edhe një peticion që është nënshkruar nga mbi 500 banorë të fshatit. Kërkesë e jona është që të bëhët një dëgjim publik”, tha Haradinaj.

Haradinaj që njëherësh është edhe asamblist i Kuvendit Komunal të Vushtrrisë nga radhët e Vetëvendojes ka thënë se një kundërshtim i tillë nuk është politik.

“Jemi apolitik këtu në këshill, sepse këshilli i fshatit është i përbërë edhe nga banorë të tjerë që i përkasin subjekteve tjera”, tha Haradinaj.

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri përmes një postimi në faceook ka thënë se pikërisht kryetari i fshatit ka organizuar “militantët” partiak dhe duan ta pengojnë punësimin.

Tahiri ka theksuar se kërkesën e banorëve për çerdhe e plotëson objekti i shkollës së re duke u bërë thirrje atyre që të mos pengojnë punësimin.

“Kërkesat e peticionit për çerdhe dhe kënd leximi i plotëson objekti i ri i Shkollës “Migjeni”, investim i Komunës. Ky objekt i plotëson nevojat për çerdhe, aty kushtet janë super të mira për qerdhe. Ish objekti i vjetër as siguri nuk ka, leje ma kushte tjera për fëmijët 6 muajsh. Thirrja ime është, mos e pengoni punësimin, mos jepni mesazh të keq për çdo investitor që dëshiron të vij në Vushtrri, lejoni punësimin e zhvillimin e Stanocit”, ka shkruar Tahiri.

Më pesë mars të këtij viti kryetari Tahiri kishte njoftuar se objekti i shkollës së vjetër, “Migjeni” do të jepet në shfrytëzim për një afat të shkurtër, për një investitor privat për hapjen e një fabrike tekstili me mundësi punësimi të 60 punëtorëve.

510 banorë të fshatit Stanofc i Ulët kanë nënshkruar peticion kundër një vendimi të tillë të cilin e kanë dorëzuar në Komunën e Vushtrrisë dhe pritet të shqyrtohet në seancën e radhës të Kuvendit Komunal.