Vuçiq: Prishtina po e kërcënon stabilitetin me veprimet e njëanshme

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka zhvilluar një bisedë telefonike me ministrin e Punëve të Jashtëm të Italisë, Antonio Tajani.

Në këtë njoftim të Qeverisë serbe thuhet se se Vuçiq ka thënë se “Prishtina me veprimet e njëanshme po kërcënon stabilitetin”.

“I shpjegova Antonio Tajani pikëpamjet e Serbisë në lidhje me zhvillimin e fundit të situatës në Kosovë. Serbia, si më parë, do të sillet me seriozitet dhe me përgjegjësi, duke respektuar detyrimet dhe vendosmërinë e saj për të ruajtur paqen dhe stabilitetin, të cilën Prishtina e kërcënon me veprimet e saj të njëanshme” – thuhet në postimin e publikuar në rrjetin social “Instagram”.

Qytetarë serbë janë duke mbajtur tubim në Mitrovicën e Veriut në shenjë proteste ndaj zhvillimeve të fundit në vend.

Me pankarta “Të gjithë ne jemi Nenad Gjuriq” “Sot Nenad Gjuriq, nesër çdo serb në Kosovë”, “Nga këtu nuk ka kthim mbrapa” dhe me flamuj në duar, serbët janë mbledhur në sheshin “Car Llazar” në veri të Mitrovicës.

Kjo protestë vjen një ditë pasi kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq dhe katër kryetarët e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, kanë vendosur për bojkotimin e institucioneve të Kosovës. Sot ata dhanë dorëheqje nga këto pozita. Në veri të vendit, zyrtarë policorë të komunitetit serb kanë dhënë dorëheqje duke e dorëzuar uniformën e Policisë së Kosovës.

E gjitha kjo pasi Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar para tri ditëve suspendimin nga puna të drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq.

Kjo nën dyshimet se Gjuriq po bën thirrje për rezistencë kur tha se policët në veri të Kosovës nuk do të zbatojnë vendimin e Qeverisë për shpërndarjen e fletëqortimeve, për shoferët që kanë automjete me targa të lëshuara nga Serbia.

Që nga 1 nëntori, autoritetet në Kosovë kanë thënë se qytetarëve që kanë automjete me targa ilegale do të marrin fletëqortime.