Aleksandar Vuçiq

Vuçiq: Ne arritëm më të mirën e mundshme sa i përket targave, jam i kënaqur

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, vlerësoi se marrëveshja e arritur në Bruksel për targat e automjeteve mes Kosovës dhe Serbisë, ishte “absolutisht më e mira që mund të arrihej” dhe se ishte një rezultat i mirë për Serbinë, transmetojnë mediat në Serbi.

Këto komente, sipas mediave në Serbi, Vuçiq i bëri në konferencën për medi mbajtur në qytetin e Nishit tek ka thënë Serbia kishte reaguar me përgjegjësi dhe zgjuarsi në këtë rast, duke treguar gjithmonë kujdes për qytetarët serb të Kosovës.

“Autoritetet në Beograd i kanë bërë të qartë zyrtarëve ndërkombëtarë dhe NATO -s se nëse komprometohet siguria dhe KFOR nuk e bën punën e tij në përputhje me mandatin e tij, ne vetë do të jemi të gatshëm dhe të aftë të shpëtojmë njerëzit tanë”, citohet të ketë thënë Vuçiq.

Megjithëse ai gjithashtu përcaktoi disa aspekte negative të asaj që ishte rënë dakord. Duke folur për mangësitë e marrëveshjes, Vuçiq tha se njëra prej tyre është se një zgjidhje ndoshta më e vështirë do të duhet akoma të arrihet në periudhën e ardhshme, si dhe fakti që në praktikë targat e lëshuara nga autoritetet serbe mund të përdoren vetëm ne veri të Kosovës.

Ai ka thënë po ashtu se takimet në Bruksel, pritet të vazhdojnë, duke nënvizuar se tema e radhës atje, do të jetë krijimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

“Tema tjetër në dialog do të jetë Asociacioni i Komunave Serbe”, tha Vuçiq.