Aleksandar Vuçiq

Vuçiq deklarohet pas vrasjes masive, thotë se do të punësojnë mbi 1 mijë policë

17 persona mbetën të vrarë për brenda tri ditëve në Beograd të Serbisë, pas dy sulmeve masive që u bën nga një i mitur dhe një 21-vjeçar.

Në rastin e parë, që ndodhi të mërkurën tetë nxënës e një roje e sigurisë humbën jetën pas sulmit që bëri 14-vjeçari, K. K. në një shkollë në qendër të kryeqytetit serb.

Ai dhe prindërit e tij u arrestuan, përderisa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha se i dyshuari për sulm do të dërgohet në një qendër psikiatrike.

Përderisa për vrasjet e të enjtes, u njoftua se të vrarë mbetën tetë qytetar dhe u plagosën 14 të tjerë, ndërsa i arrestuar mbeti U. B., 21-vjeçar.

Në një konferencë për media, presidenti serb sot tha se të shtënat janë “një sulm ndaj të gjithë ne”.

Ai po ashtu njoftoi për një mori masash të reja sigurie, duke përfshirë një plan për të punësuar 1 mijë e 200 oficerë të rinj policie.

Sipas televizionit publik serb, RTS, Vuçiq tha se policët më pas do pozicionohen nëpër shkolla.

“Nëse në Beograd janë 331 shkolla, do të kemi po aq policë” – raportohet të ketë thënë Vuçiq.

Vuçiq gjithashtu foli edhe për ndalimin e lejeve të reja të armëve, duke thënë se do të ketë dënime më të ashpra për posedimin e paligjshëm të armëve. Ai tha se ligjet e reja do të rezultonin në “çarmatimin praktik” të Serbisë.

U. B. dyshohet se sulmin e tij e filloi pas një debati që pati me një oficer policie në një park në fshatin Dubona të Beogradit.

Ai me një armë automatik, gjatë kohës sa vetura ishte në lëvizje dyshohet se ka shtënë në drejtim të qytetarëve duke lënë disa të vdekur.

Siç raportojnë mediat lokale serbe, për gjetjen e tij u angazhuan mbi 600 zyrtarë policor, përderisa në terren ishin parë edhe helikopterë e dronë që kërkonin të dyshuarin.

Sipas televizionit publik serb, RTS, të gjithë të lënduarit e pranuar në spital kanë lindur pas vitit 2000.

Po ashtu raportohet se dy persona të moshës 21 dhe 23 vjeçare janë operuar, por mbeten në gjendje kritike.

Ky është sulmi i dytë masiv që ndodhi brenda javës në Beograd, ku numri total i viktimave në të dyja rastet është 17 persona, në mesin e tyre disa të mitur.

Detaje të reja nga vrasja në Serbi, i dyshuari para se të fillonte sulmin kishte debatuar me një polic