Vrasja në Ferizaj, Jashari: Prokurori Shabani nuk ka trajtuar raste ku kanë qenë të përfshirë i dyshuari dhe viktima

Prokurori i Ferizajt, Veton Shabani nuk ka trajtuar asnjë rast të në cilin kanë qenë të përfshirë familja e Q. J., të dyshuarit për vrasjen e G. H., 30-vjeçar, i cili u qëllua për vdekje me armë zjarri në orët e para të 28 majit.

Kështu ka bërë të ditur për KALLXO.com, kryeprokurori Shukri Jashari.

“Prokurori Veton Shabani nuk ka trajtuar asnjë rast në të cilin kanë qenë të përfshirë familja e të dyshuarit ose e viktimës në rastin e vrasjes në Ferizaj”, tha Jashari.

Vëllai i prokurorit të Ferizajt, Veton Shabani, Fitim Shabani, është avokati mbrojtës i Q. J., të dyshuarit për vrasjen e G. H., 30-vjeçar, i cili u qëllua për vdekje me armë zjarri.

Gjatë ditës së djeshme Gjykata e Ferizajt ka caktuar masën e paraburgimit ndaj të pandehurit Q. J., për vrasjen e G. H.

Në një njoftim të Gjykatës është thënë se është aprovuar kërkesa e Prokurorisë së Ferizajt, me ç’rast është caktuar një muaj paraburgim ndaj të pandehurit.

Më 28 maj, rreth orës 00:53, G. H., 30 vjeçar, mbeti i vrarë në Ferizaj, pasi ai u qëllua për vdekje me armë zjarri, nga i dyshuari Q. J.

Në dosjen e Prokurorisë të dorëzuar në Gjykatën Themelore të Ferizajt nga prokurori i shtetit, Shukri Jashari, janë dhënë detaje se si ka ndodhur ngjarja.

Në këtë dosje tregohet se si njëri nga dëshmitarët e rastit ka deklaruar se i dyshuari Q. J., i cili është vëllai i rep-këngëtarit Buta, i ka shkuar mbrapa me veturë të markës “Audi A7” viktimës pak para vrasjes.

Pas kësaj, dëshmitari thuhet se e ka hipur viktimën në një taksi për ta dërguar në Qendrën Emergjente ku më pas nga mjekët është konstatuar vdekja e viktimës.

Në dosje po ashtu përshkruhet se motivi i kësaj vrasje dyshohet se ka të bëjë me djegjen e një veture të vëllait të të dyshuarit, rep-kengëtarit Buta dhe se i dyshuari ka pretenduar se vetura i ishte djegur nga tashmë viktima G. H dhe se i dyshuari me parapërgatitje dhe me dashje e ka kryer vrasjen.

Vëllai i prokurorit Veton Shabani mbron të dyshuarin për vrasjen në Ferizaj