Vëllai i prokurorit Veton Shabani mbron të dyshuarin për vrasjen në Ferizaj

Vëllai i prokurorit të Ferizajt, Veton Shabani, Fitim Shabani, është avokati mbrojtës i Q.J., të dyshuarit për vrasjen e G.H., 30-vjeçar, i cili u qëllua për vdekje me armë zjarri në orët e para të 28 majit.

Kështu ka bërë të ditur për KALLXO.com avokati Fitim Shabani, i cili ka thënë se nuk e di nëse vëllai i tij, prokurori Veton Shabani, ka trajtuar ndonjë rast në të cilin ka qenë e përfshirë familja e të dyshuarit.

“Po, nuk e besoj që ka pasur ndonjë rast, nuk kam ndonjë evidencë për këtë çështje, nuk e kam këtë informacion. Nuk e di që ka pasur ndonjë rast”, tha ai.

Avokati Fitim Shabani po ashtu ka thënë se ende nuk mund të japë ndonjë version për rastin e vrasjes në Ferizaj, pasi që ende nuk e ka takuar klientin e tij.

“Konsideroj që është joetike me dhënë unë ndonjë version përderisa klienti im ende nuk ka folur. E kam të pamundur me dhënë ndonjë version prej vetes përderisa un ëende nuk e kam versionin e tij për shkak që ai nuk mund të flasë momentalisht, deri në momentin kur t’i kryen operimet dhe t’i përmirësohet gjendja”, tha ai.

Avokati Shabani ka thënë që gjatë ditëve në vijim pritet të takohet me klientin e tij.

“Unë sot kam dorëzuar autorizimin dhe kam paraqitur kërkesën por që Gjykata nuk më është përgjigjur për shkak që e kam dorëzuar kërkesën pak vonë për shkak se unë e kisha planifikuar që ta takoj nesër, por mjekët më njoftuan që nesër në mëngjes do t’i nënshtrohet një operacioni, kështu që nesër pasdite ose pasnesër sigurisht që do të takohemi”, tha ai.

Gjatë ditës së sotme Gjykata e Ferizajt ka caktuar masën e paraburgimit ndaj të pandehurit Q.J., për vrasjen e G.H.

Në një njoftim të Gjykatës është thënë se është aprovuar kërkesa e Prokurorisë së Ferizajt, me ç’rast është caktuar një muaj paraburgim ndaj të pandehurit.

Më 28 maj, rreth orës 00:53, G.H., 30 vjeçar, mbeti i vrarë në Ferizaj, pasi ai u qëllua për vdekje me armë zjarri, nga i dyshuari Q.J..

Në dosjen e Prokurorisë të dorëzuar në Gjykatën Themelore të Ferizajt nga prokurori i shtetit, Shukri Jashari, janë dhënë detaje se si ka ndodhur ngjarja.

Në këtë dosje tregohet se si njëri nga dëshmitarët e rastit ka deklaruar se i dyshuari Q.J., i cili është vëllai i rep-këngëtarit Buta, i ka shkuar mbrapa me veturë të markës “Audi A7” viktimës pak para vrasjes.

Pas kësaj, dëshmitari thuhet se e ka hipur viktimën në një taksi për ta dërguar në Qendrën Emergjente ku më pas nga mjekët është konstatuar vdekja e viktimës.

Në dosje po ashtu përshkruhet se motivi i kësaj vrasje dyshohet se ka të bëjë me djegjen e një veture të vëllait të të dyshuarit, rep-kengëtarit Buta dhe se i dyshuari ka pretenduar se vetura i ishte djegur nga tashmë viktima G. H dhe se i dyshuari me parapërgatitje dhe me dashje e ka kryer vrasjen.

Sot, vëllai i të pandehurit Q.J., për vrasjen e G.H., 30 vjeçarit nga Ferizaj, rep-këngëtari Buta ka bërë një postim në Instagram në lidhje me rastin.

Ai ka falënderuar personat që i kanë dërguar mesazhe mbështetëse për vëllain e tij, ndërsa raportimet e mediave i ka quajtur “rrena”.

Vrasja në Ferizaj, autorizohet intervistimi i dy personave që e takuan të dyshuarin pak para incidentit