Vrasja e Oliver Ivanoviqit, gjykata dënon me burg disa të përfshirë në rast

Vrasja e udhëheqësit të Nismës së Serbisë për Demokracisë dhe Drejtësi Oliver Ivanoviç, ka marrë epilog rrugëtimi gjyqësor në shkallë të parë, pas më shumë 6 vitesh nga kryerja e vrasjes, e gati 4 vite nga ngritja e aktakuzës.

Ivanoviç ishte qëlluar me armë zjarri me 6 plumba përballë zyrave të partisë së tij në ora 08:14 të datës 16.01.2018, në rrugën “Sutjeska” në Mitrovicën e Veriut .

Vetura “Opel Astra” pa targa të regjistrimit e me xhama të errësuar, nga e cila ishte gjuajtur në drejtim të të ndjerit Ivanoviç ishte gjetur tërësisht e djegur në ora 09:15 min në rrugën “Vojvode Putnika”.

Gjykata i ka gjetur fajtorë për këtë vrasje Nedeljko Spasojeviqin, Marko Roshiqin me nofkën “Roske”, Zharko Jovanoviqin dhe Dragisha Markoviqin me nofkën “LIMAJ”.

Motivi i vrasjes sipas Prokurorisë ka qenë shtrirja e kontrollit në pjesën veriore të Mitrovicës si në jetën politike ashtu edhe ekonomike, dhe veprimtarisë së përgjithshme të aktivitetit kriminal.

Nedeljko Spasojeviq është shpallur fajtor për veprën penale të ricilësuar nga krimi i organizuar në keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe është dënuar me 4 vite e 6 muaj burgim, dhe për armëmbajtje gjobë 4,500 euro.

Marko Roshiq për “pjesëmarrje e ose organizim i grupit kriminal” lidhur me” vrasje të rëndë” është dënuar me 10 vjet burgim dhe gjobë prej 10 mijë euro.

Dragisha Markoviq fajtor bashkëkryerje për “keqpërdorim i detyrës zyrtare” dënim me burgim 4 vjet.

Ai është liruar nga akuza për ‘’zbulim të fshehtësisë zyrtare”.

Zharko Jovanoviq është shpallur fajtor bashkëkryerje për keqpërdorim të detyrës zyrtare”  burgim 4 vitesh  dhe për ” armëmbajtje pa leje” dënim me gjobë 1500 euro.

Dënim plotësues për marrjen e sendit në këtë rast armët dhe pajisjet e të akuzuarave Nedeljko Spasojeviq dhe Marko Roshiq.

Marko Roshiq i është caktuar paraburgimi me rastin e aktgjykimit.

Silvana Arsoviq lirohet nga akuza për  “pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal të organizuar”,  “vrasje e rëndë” dhe “keqpëdorim i detyrës zyrtare”.

Asnjëri nga të akuzuarit nuk ishte prezent në sallën e gjyqit në momentin e shpalljes së aktgjykimit.

Në këtë rrugëtim gjyqësor, janë dëgjuar dëshmitarë, janë shfaqur pamje të kamerave të sigurisë si prova materiale, ka pasur edhe dështime të seancave.

Në mesin e dëshmitarëve të dëgjuar para kësaj Gjykate ka qenë edhe gruaja e të ndjerit, Milena Popoviq.

Në këtë rast, i akuzuar ka qenë edhe Rade Basara për të cilin Prokuroria Speciale në fjalën përfundimtare është tërhequr nga ndjekja penale në mungesë të provave.

Sipas Prokurorisë, grupi ishte i udhëhequr nga Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radoiçiç.

Veprimet e secilit të akuzuar në kryerjen e vrasjes sipas prokurorisë

Sipas aktakuzës, secili nga të lartcekurit në ditën kritike kanë kryer veprime konkrete inkriminuese të cilat kanë dërguar deri te vrasja e tani të ndjerit Oliver Ivanoviç.

Prokuroria pretendon se i pandehuri Nedeljko Spasojeviq duke vepruar si anëtar i grupit, ka ndihmuar në kryerjen e vrasjes duke bashkëpunuar ngushtë me të dyshuarit e panjohur që të kryejnë vrasjen e Ivanoviçit.

Sipas aktakuzës ai fillimisht u ka mundësuar të dyshuarve që të lëvizin me veturën zyrtare të policisë të markës Golf IV, karavan, më pas i ka dërguar të njëjtit tek vetura “Opel Astra”, ngjyrë e kaltër, pa targa, nga e cila veturë është shtënë në të ndjerin Oliver Ivanoviç.

Përveç kësaj në aktakuzë thuhet se i pandehuri Nedeljko Spasojeviq në ditën kritike së bashku me dy policët që kanë qenë të parët në vendin e ngjarjes Zharko Jovanoviq dhe Dragisha Markoviq, kanë lejuar personat e paautorizuar të futen në vendin e ngjarjes dhe të dëmtojnë provat që kanë qenë aty.

Marko Roshiq akuzohet se si anëtar i grupit kriminal ka ndihmuar në kryerjen e vrasjes së Oliver Ivanoviçit  pasi me veturën “Santa Fe” ka përcjellë çdo lëvizje të tij para vrasjes, ndërsa pas vrasjes, në rrobat e të ndjerit është gjetur një letër, në të cilën kanë qenë të dhënat e veturës “Santa FE”, ngjyrë e zezë, me targa “KM-014-FZ”.Në aktakuzë ceket se kjo veturë është në pronësi dhe përdorim të të akuzuarit Roshiq dhe përmes saj ai e kishte përcjellë edhe Mirosllav Ivanoviçin, vëllanë e të ndjerit pasi kishte ndodhur vrasja.

E pandehura Silvana Arsoviq, akuzohet se si anëtare e grupit kriminal kishte ndihmuar në eliminimin e pengesave për kryerjen e vrasjes duke shkyçur nga rryma kamerat e sigurisë dhe duke mundësuar që të dyshuarit të mos incizohen nga kamerat e sigurisë në kohën kur kryhet akti i vrasjes.

Sipas Prokurorisë Arsoviq menjëherë pas vrasjes së Ivanoviçit ka aktivizuar kamerat e sigurisë në zyrat e partisë SDP.
Ajo sipas aktakuzës ka qenë duke punuar si administratore në këto zyre dhe si person i vetëm në objektin e përmendur në kohën kur është kryer vrasja.

Polici Dragisha Markoviq akuzohet se pa autorizim ka dhënë informata të cilat përbënin fshehtësi zyrtare gjatë kohës sa ishte në vendin e ngjarjes ku kishte ndodhur vrasja e Oliver Ivanoviçit.

Dy policët Markoviq dhe Zharko Jovanoviq, akuzohen edhe se kanë manipuluar me provat e vendit të ngjarjes me qëllim që t’i bëjnë të pashfrytëzueshme duke i hequr dhe fshehur ato. Sipas Prokurorisë Speciale Dragisha Markoviq, bën me dorë në drejtim të gëzhojës e cila ishte gjetur në vendin e ngjarjes e të cilën më pas i pandehuri Zharko Jovanoviq e merr atë gëzhojë, e fut në xhep dhe së bashku me të pandehurin tjetër Dragisha Markoviq largohen nga vendi i ngjarjes.

Policia e Kosovës kishte konfirmuar se kishte pasur një urdhër arrest për Milan Radoiçiqin në dhjetor të vitit 2018, i cili ishte duke u hetuar për këtë vrasje, por Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj në një konferencë për media, 5 vite pas, në dhjetor të vitit 2023 kishte deklaruar se ai e kishte dhënë pëlqimin për tërheqjen e urdhër-arrestit për Radoiqiqin.

Vendimi i sotëm u mor nga trupi gjykues Valon Kurtaj kryetar, dhe anëtarët Musa Konxheli dhe Valbonë Musliu-Selimaj.

Shënim: Artikulli është edituar më 28.06.2024, ora 14:32. I akuzuari Marko Roshiq është dënuar me 10 vite burg dhe jo 8 vite burg, siç ishte raportuar fillimisht.