Rasti për vrasjen e Oliver Ivanoviqit në Gjykatën Themelore të Prishtinës të hënën. Foto: BIRN.

Dështon seanca e gjykimit në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit

Të enjten ka dështuar të mbahet seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj të akuzuarve Marko Roshiq, Silvana Arsoviq, Nedelko Spasojeviq, Rade Basara, Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq, për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviqit.

Sot ishte paraparë që në cilësinë e dëshmitares të dëgjohej bashkëshortja e Ivanoviqit, Milena Popoviq, e cila për shkak të problemeve teknike në video-lidhje nuk ka mundur ta japë dëshminë e saj.

Seanca e radhës është paraparë të mbahet nesër, ku pritet të dëgjohet e njëjta.

Këtë e ka konfirmuar zyra e kryetarit të trupit gjykues, Valon Kurtaj.

Sipas aktakuzës, Marko Roshiq, Silvana Arsoviq, Nedelko Spasojeviq, Rade Basara, po akuzohen se si grup kriminal të udhëhequr nga Millan Radoiçiq dhe Zvonko Veselinoviq, kishin kontribuar në forma të ndryshme në vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

Së fundmi për këtë rast është arrestuar Milan Mihajloviq i cili është i njohur me emrin “Popi”.

Në këtë rast akuzohen edhe dy zyrtarë policorë, Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq, të cilët sipas Prokurorisë kishin manipuluar me prova të rastit.

Sipas aktakuzës, secili nga të lartcekurit në ditën kritike kanë kryer veprime konkrete, të cilat kanë dërguar deri te vrasja e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq.

Politikani serb i Kosovës, Oliver Ivanoviq u vra më 16 janar të vitit 2018 para hyrjes së objektit të partisë së tij.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast – LINK.