Vrasja e nxënësit në Prishtinë, vjen reagimi i ministres së Arsimit

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka thënë se vrasja e nxënësit 14 vjeçar sot në Prishtinë, është një alarm për të gjithë shoqërinë.

Sot, një nxënës 14 vjeçar ka vdekur pasi është therur me thikë, në lagjen ‘Kodra e Trimave’ në Prishtinë.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, Nagavci tha se hetimet po zhvillohen me intensitet të lartë.

“Si nënë, si mësimdhënëse, e si ministre, i lus të gjithë mësimdhënësit dhe prindërit që të punojnë edhe më shumë në edukimin dhe ndërgjegjësimin e fëmijëve, të jenë të kujdesshëm për sjelljet që mund të manifestojnë ata, t’i adresojnë problemet dhe vështirësitë që kanë, të kujdesemi për sigurinë e fëmijëve sot e gjenerat që po krijojmë”, ka shkruar Nagavci.

Sipas saj, Qeveria e Kosovës bashkë me organet e sigurisë janë duke punuar që të krijohet sa më shumë siguri për fëmijët në shkollë e në rrugë.

“Puna jonë në këtë drejtim synon mekanizma koordinues funksional në nivel qendror, komunal e në nivel shkolle; sistem funksional të paralajmërimit të hershëm të braktisjes, parandalim të dhunës dhe dukurive negative; vetëdije të ngritur të institucioneve shkollore e komunale për adresimin sistemor të problemeve që e sfidojnë zhvillimin e fëmijëve; rritje e cilësisë së të dhënave për fëmijët braktisës, ata që janë në rrezik për braktisje, etj.”, ka shkruar ministrja Nagavci.

Sipas Policisë së Kosovës, ngjarja e rëndë ka ndodhur mëngjesit e sotëm rreth orës 07:30, por për autorin dhe shkaqet ende nuk ka informata.

Vdes pas therjes me thikë një i mitur rreth 14 vjeçar në Prishtinë