Dardan Krivaqa dhe Dardan Sejdiu të akuzuar për vrasjen e Marigona Osmanit në seancën fillestare në Gjykatën Themelore në Ferizaj, Foto:Gentiana Ahmeti, KALLXO.com

Vrasja e Marigona Osmanit - Çka thuhet në arsyetimin e gjykatës për dënimin me 15 vite burgim për Arbër Sejdiun?

Dënimi me burgim të përjetshëm për Dardan Krivaçën i shqiptuar më 4 gusht të këtij viti, për vrasjen mizore të Marigona Osmanit ishte “mirëpritur” nga opinioni publik por edhe nga krerë institucionalë.

Një gjë e tillë nuk kishte ndodhur për dënimin prej 15 vitesh për të akuzuarin Arbër Sejdiun, për të cilin dënim kishte reaguar edhe Rrjeti i Grave të Kosovës.

Ky rrjet, e kishte konsideruar si të ulët dënimin për veprën dhe pasojat që janë shkaktuar.

Gati 2 vite sa ka zgjatur procesi gjyqësor për këtë rast, janë shqyrtuar nga Gjykata e Ferizajit një numër i madh provash materiale e personale, përfshirë deklarata, videoincizime nga banesa e Dradan Krivaçës, dosje të forenzikës, e ekspertiza mjeko-ligjore.

Sipas dosjes së gjykatës, respektivisht aktgjykimit vulominoz prej 53 faqesh, gjykata ka theksuar se cilësimi juridik që i kishte bërë prokuroria aktakuzës ndaj Arbër Sejdiut për bashkëkryerje në vrasje nuk ka mundur të vërtetohet.

Nga këto prova, trupi gjykues i përbërë nga Sahit Krasniqi – kryesues dhe Fitore Daci e Habib Zeqiri anëtarë, në shpalljen e aktgjykimit e kishin bërë rikualifikimin e veprës për Arbër Sejdiun.

Gjykata për Sejdiun vlerësoi se, i njëjti nuk kishte marrë veprime të dhunshmë ndaj Marigona Osmanit, por i kishte ndihmuar Dardanit në kryerjen e vrasjes së rëndë dhe kështu nga bashkëkryerja, Arbër Sejdiu u dënua për ndihmën e dhënë Dardan Krivaçës në kryerjen e vrasjes së Marigona Osmanit.

Kjo sepse nga ekspertizat e gjurmëve dhe të AND-së, nuk ishte gjetur asnjë gjurmë e Arbër Sejdiut as në dhomën ku ishte kryer vepra penale e as te e ndjera Marigona Osmani.

Rrjedhimisht në mungesë të provave ishte liruar nga akuza për ndihmë në kryerje të dhunimit, meqë as vepra bazë e dhunimit nuk ka arritur të vërtetohej.

Rethana lehtësuese gjykata për Arbër Sejdiun kishte gjetur sjelljen e tij gjatë procedurës, dhe faktin se i njejti nuk kishte qenë asnjëherë  i dënuar me vendim të formës së prerë.

Kurse rrethana lehtësuese, për Dardan Krivaçën gjykata nuk kishte gjetur asnjë.

Mënyrën se si Marigona Osmani kishte ndërruar jetë, është konstatuar nga ekspertiza mjeko-ligjore, sipas së cilës vdekja e të ndjerës kishte qenë e dhunshme dhe lëndimet kishin qenë të ndryshme dhe në pjesë të ndryshme të trupit.

Gjykata në arsyetimin e vendimit të saj thekson se Arbër Sejdiu vetëm i’a kishte krijuar kushtet për kryerjen e vrasjes dhe i’a kishte mënjanuar pengesat Dardan Krivaçës, sipas video-incizimeve.

Në seancën kur ishin shfaqur këto video-incizime, Dardan Krivaça ishte alivanosur, kurse seanca kishte qenë e mbyllur për publikun për shkak të pamjeve të ndjeshme.

Xhelozia e paarsyeshme e Dardan Krivaçës kishte qenë motivi i kryerjes së vrasjes, sipas vlerësimit të gjykatës.

Vendimin për dënimin ndaj Sejdiut, prej 15 vitesh do ta apelojë edhe avokatja e tij, Arbnora Shefkiu e cila për Kallxo.com  tha se është duke punuar në ankesën për Apel brenda afatit ligjor.

Historiku i rastit të vrasjes

 Në orët e para të mëngjesit të 22 gushtit 2021, një vazë 18-vjeçare ishte dërguar në Emergjencën e Spitalit të Ferizajt pa shenja jete.

Trupi i pajetë i Marigona Osmanit ishte dërguar në Spital nga dy persona, të cilët më pas ishin larguar shpejt nga aty.

Rasti kishte alarmuar institucionet, të cilat ishin vënë menjëherë në kërkim të të dyshuarve.

Dy ditë pas ngjarjes, Policia kishte arritur ta arrestonte të dyshuarin kryesor – Dardan Krivaça.

 Ky ishte kapur në fshatin Sojevë, në periferi të Ferizajt. I përcjellë nga një numër i madh i forcave të Policisë dhe i prangosur, Krivaça ishte dërguar në Gjykatën e Ferizajt.

Në kohën kur ndodhi krimi i rëndë doli se Dardan Krivaça ishte i njohur për organet e drejtësisë, pasi që ai kishte qenë i dënuar me vendim të formës së prerë plot 9 herë.

Këtë e thotë evidenca e Gjykatës Themelore për të kaluarën kriminale të Krivaçës.

 Veprat për të cilat ai është dënuar janë kryesisht vjedhje e rëndë dhe lëndime trupore. Vetëm gjatë vitit 2021, ndaj Krivaçës ishin shqiptuar 3 dënime të formës së prerë.

Në dosjen e Prokurorisë theksohet se Marigona Osmani u keqtrajtua mizorisht dy ditë radhazi, sipas aktakuzës së përfaqësuar nga prokurori Valdet Avdiu.

I pandehuri Dardan Krivaça në stacionin policor në Ferizaj më 24 gusht 2021 dhe në Prokurorinë e Ferizajt më 20 tetor 2021 dhe 7 qershor 2022, ka shfrytëzuar të drejtën e tij ligjore dhe është mbrojtur në heshtje.

Njëjtë kishte vepruar edhe në fazën e dhënies së mbrojtjes në Gjykatë.

Në seancën fillestare, me lot në sy, Krivaça kur është pyetur nga trupi gjykues nëse ndihej fajtor apo jo, kishte thënë: “S’po mundem kurrgjë me kuptu”.

Në këto rrethana nga Gjykata ishte konstatuar se i pandehuri Krivaça nuk e pranon fajësinë.

Ndërsa, Arbër Sejdiu kishte deklaruar se nuk e pranon fajësinë.

Procesi gjyqësor kishte vazhduar me mbajtjen e një numri të madh të seancave gjyqësore, ku në cilësinë e dëshmitarëve ishin dëgjuar familjarët e të ndjerës, mjeku kujdestar si dhe ishin lëshuar video-incizimet, të cilat ishin marrë nga kamerat që kishin qenë të vendosura brenda banesës ku ishte kryer vepra penale.

Ndër të tjera, prindërit e Marigona Osmanit kishin theksuar se që nga koha kur kanë qenë në dijeni për lidhjen e të bijës, kanë vënë re humbje peshe, zbehje e ndonjëherë edhe shenja në trup.“Kam vërejtur shenja nëpër trup, e fytyrë, mirëpo nuk kam mundur ta pyes. Kam bisedu me të, ajo s’ka tregu kurrgjë, u kanë shumë e lodhtë, rrijke vetëm shtrirë” – kishte thënë nëna e Marigona Osmanit në seancë.

Ajo kishte folur edhe për ditët e fundit sa ishte gjallë e bija.

Për herë të fundit tha se ka biseduar me Marigonën të premten e 20 gushtit 2021.

“Unë të premten kam bisedu me Marigonën, edhe kjo ka qenë biseda e fundit, e kam thirrë edhe në mbrëmje e s’u lajmëru se ky më ka thënë që vetëm një herë në ditë ke me folë me çikën tënde” – kishte thënë nëna e Marigona Osmanit.

 Gjykata e Ferizajt kishte urdhëruar që për Krivaçën të bëhej ekspertizë psikiatrike, kërkesë që ishte paraqitur nga mbrojtësi i të akuzuarit.

Kurse në fjalën përfundimtare, Dardan Krivaça për vrasjen e Marigona Osmanit, kishtë thënë: “Si unë që e kam deshtë askush s’e ka deshtë”.

Gjykimi për këtë rast kishte filluar në korrik të vitit 2022, kurse seanca e fundit u mbajt të martën më datë 2 gusht të vitit 2023.

Organeve të drejtësisë iu deshën gati dy vite nga vrasja e Marigona Osmanit që rastit t’i japë epilog në shkallë të parë.

 

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në LINK