Vrasja e gruas shtatzënë, përfaqësues nga prokuroritë dhe gjykatat nuk morën pjesë në takimin e thirrur nga ministrja Haxhiu

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, gjatë ditës së sotme ka mbledhur grupin e ngushtë ndërministror pas vrasjes së gruas shtatzënë në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë në Prishtinë.

Por, të pranishëm në këtë takim nuk ishin përfaqësues nga Prokuroria dhe Gjyqësori. Haxhiu tha se fatkeqësisht nuk kishte përfaqësues nga këto dy institucione duke shtuar se nuk ka koment për veprimet e tyre.

“Fatkeqësisht as prokuroria, as gjykatat, pra as përfaqësuesi nga prokuroria, as përfaqësuesi nga gjyqësori nuk kanë qenë të pranishëm. Në fakt do të duhej të kishin më shumë ndërgjegje edhe morale, njerëzore e profesionale. Nuk kam koment për veprimet e tyre” – tha Haxhiu.

Gjatë një konference për media, Haxhiu tha se sikurse prokuroria të ishte në krye të detyrës, rasti i tillë mund të ishte parandaluar.

“Sikurse prokuroria të ishte në krye të detyrës, rasti i tillë mund të ishte parandaluar. Kemi edhe disa informacione të tjera të cilat për shkak të hetimeve nuk mund t’i bëjë të ditura dhe urojë që të më mirëkuptoni për ketë. Ju garantojmë se secili prej institucioneve qoftë nga policia, Ministria e Shëndetësisë, qendra për punë sociale janë të obliguar dhe kanë marrë përgjegjësi që të verifikojnë secilin veprim institucional kur është raportuar dhuna” – deklaroi ministrja Haxhiu.

Më 24 nëntor, Këshilli Gjyqësor i Kosovës mori vendim për pezullimin e punëve në gjykata. Ky vendim erdhi si pasojë e vendimit të Qeverisë së Kosovës për kthim të pagave të gjyqtarëve e prokurorëve sikurse në vitin 2017.

Që nga 24 nëntori, në Gjykatën e Ferizajt dhe degët e saj, kanë dështuar gjithsej 128 seanca gjyqësore. Vetëm në Gjykatën e Ferizajt kanë dështuar 110 seancam në Kaçanik 11 seanca ndërsa në Shtërpcë 7 seanca.

Për shkak të vendimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, qindra seanca kanë dështuar të mbahen në të gjitha gjykatat e Kosovës derisa vetëm në atë të Prishtinës nuk janë mbajtur 113 të tilla ndërsa në atë të Prizrenit janë anuluar 188 seanca.

Vendimi i KGJK-së ka prekur edhe Gjykatën Komerciale, në të cilën që nga 24 nëntori kanë dështuar të mbahen rreth 40 seanca.

Në mbledhjen e 23 nëntorit, Qeveria e Kosovës mori vendim që t’ua ulë pagat prokurorëve dhe gjyqtarëve ashtu siç kanë qenë para vitit 2017 kur Qeveria Haradinaj kishte marrë vendim për rritjen e tyre.