Foto-ilustrim

Pas vendimit të KGJK-së, vetëm në Gjykatën e Prishtinës dështuan të mbahen 113 seanca

Pas vendimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) të datës 24 nëntor për pezullim të punëve në gjykata (pas vendimit të Qeverisë për të kthyer nivelin e pagave të gjyqtarëve në atë që ka qenë më 2017), KALLXO.com ka mësuar se sot në Gjykatën e Prishtinës dhe degët e saj kanë dështuar të mbahen 113 seanca.

Ndër seancat që kanë dështuar janë edhe ato të rastit “Stenta 2” dhe të rastit të vrasjes së Oliver Ivanoviqit.

Kurse vetëm 6 seanca janë mbajtur sot në të gjitha degët e Gjykatës së Prishtinës.

Numrin e seancave e ka konfirmuar për KALLXO.com zyrtarja për informim e Gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi.

“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se pas vendimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës me numër KGJK.nr.445/22 të datës 24 nëntor 2022, sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe degët e saj janë shtyrë 113 seanca ndërsa janë mbajtur 6 seanca, të përcaktuara në bazë të listës së shërbimeve esenciale nga KGJK” – tha Mirlinda Gashi.

Ky vendim i KGJK-së erdhi si pasojë e vendimit të Qeverisë së Kosovës për kthim të pagave si në vitin 2017.