Von Bone: Salih Mustafa nuk ka kryer krime, duhet të shpallet i pafajshëm

Avokati i Salih Mustafës, Julius Von Bone, ka deklaruar se i mbrojturi i tij asnjëherë nuk ka ndaluar, maltretuar dhe nuk ka vrarë asnjë person siç thuhet në aktakuzën e Prokurorisë së Specializuar.

“Salih Mustafa asnjëherë nuk e ka ndaluar asnjë person, asnjëherë nuk e ka maltretuar asnjë person, asnjëherë nuk ka vrarë asnjë person dhe as që ka urdhëruar dikë tjetër që të bënte një gjë të tillë. Ai me shumë të tjerë, është një patriot dhe ka luftuar për çlirimin e vendit të vet”, ka deklaruar avokati.

Gjatë deklarimit të tij, avokati ka bërë të ditur se Salih Mustafa ishte komandant i njësitit BIA i cili kryente detyrat e veta në ndihmë të civilëve.

Tutje Von Bone  ka kontestuar idenë se zona operative e BIA-s ishte në Zllash apo të ketë ndonjë lidhje me Zllashin.

“ZPS ka ndërtuar gjithë çështjen e vet rreth kësaj dhe bën që ajo të duket sikur njësia BIA apo Salih Mustafa ka qenë aty gjithë kohës dhe kanë kontrolluar gjithë kompleksin apo zonën e ndalimit. Është krejt e gabuar ajo që thotë ZPS në dosjen paraprake se BIA e ka përdorur këtë vend si të vetin”, ka deklaruar avokati.

Avokati ka konsideruar se Mustafa me shumë të tjerë është patriot dhe ka luftuar për çlirimin e vendit të vet.

Von Bone ka mohuar akuzat kundër Mustafës lidhur me ndalimin arbitrar të disa individëve, trajtimin çnjerëzor, torturën dhe vrasjet e paligjshme.

Sipas avokatit të Mustafës, ZPS-ja nuk po mund të sjellë dëshmitarë për t’i provuar këto akuza.

“Ne nuk mendojmë që dëshmitarët që i solli ZPS për të dhënë dëshmi ishin viktima të Salih Mustafës. Pjesa më e madhe e dëshmitarëve asnjëherë nuk e kishin njohur zotin Mustafa dhe asnjëri prej tyre nuk e identifikoi atë siç duhet, dëshmitarët thjeshtë thanë një emër pa e ditur se cili është personi, duke përshkruar një person në hollësi që nuk e kishin njohur asnjëherë përpara luftës madje edhe pas luftës”, ka deklaruar avokati.

Pas kësaj, mbrojtja i ka thënë trupit gjykues në Hagë se Mustafa është i pafajshëm në të gjitha akuzat me të cilat e ngarkon Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Mbrojtja e ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ka thënë se Prokuroria gjithashtu nuk ka arritur të paraqesë prova se Mustafa ka kryer krimet për të cilat akuzohet.

“Ne jemi të bindur se Mustafa nuk është fajtor për akuzat e ngritura. ne nuk kemi nevojë të provojmë pafajësinë e tij sepse një person prezumohet të jetë i pafajshëm deri sa të provohet përtej dyshimit të bazuar se ka kryer krimet për të cilat ngarkohet”, tha ai.

Me ketë ka përfunduar edhe deklarata hapëse e mbrojtjes, e cila shënon fillimin e çështjes ndaj Mustafës.

Në seancën e radhës,  e cila do të mbahet nesër në Dhomat e Specializuara të Hagës, do të fillojë dëgjimi i dëshmitarit të parë të mbrojtjes.

Sali Mustafa ishte arrestuar në shtator të vitit 2020 nga Policia e EULEX-it dhe që nga ajo datë ai po vazhdon të mbahet nën masën e paraburgimit.

Arrestimi i tij u bë pas konfirmimit të aktakuzës së ngritur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Ish-komandant “Cali” akuzohet se për vrasje, torturë dhe trajtim çnjerëzor.

Sipas aktakuzës në prill të vitit 1999 Mustafa së bashku me pjesëtaret e tjerë të UÇK-së, ushtarët me pseudonimet ‘Tabuti’, ‘Ilmi Vela’, ‘Bimi’, ‘Dardani’, ‘Afrimi’, u hoqën lirinë së paku gjashtë personave pa proces ligjor të rregullt në kompleksin e ndalimit në Zllash të cilët më pas u mbajtën të ruajtur me rojë, ndër të tjera në një stallë të kyçur, dhe iu nënshtruan akteve të trajtimit mizor dhe të torturës.

Sipas Prokurorisë ai bashkë me pjesëtaret e tjerë u kishin shkaktuar viktimave vuajtje dhe  dhimbje shumë të rënda me synim që të merrnin informata ose deklarata.

Aktakuza ngarkon Mustafën edhe për vrasjen e njërit prej 6 personave të ndaluar.