Vjosa Osmani në Prekaz: Këtu është dëshmia e gjenocidit të Serbisë në Kosovë

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë homazhe te kompleksi memorial në Prekaz.

Ajo deklaroi se qëllimi i këtyre vizitave është teknike dhe jo përmbajtësore, duke shtuar së në këto momente sfiduese për vendin, bartësit e institucioneve duhet të gjejnë frymëzim të ata që dhanë kontributin për liri.

“Në këto ditë sfiduese që po kalon vendi ynë është më rendësi të përkulemi para njerëzve që simbolizojnë bazamentin dhe themelin e shtetit tonë, e pikërisht Prekazi është vendi ku mund të gjejmë simbolin më të fuqishëm të lirisë, të sakrificës dhe rezistencën mbi njerëzoren. Por, në anë në tjetër mund të shohim edhe dëshmitë e drejtpërdrejta kundër njerëzimit dhe gjenocidin që është kryer nga Serbia. Viktimat 2/3 janë gra, fëmijë dhe pleq, që tregon për mendësinë gjenocidale dhe shfarosëse që ka ekzistuar e akoma Serbia nuk kërkon falje. Jemi këtu që të gjejmë frymëzimin për secilin do të duhej të shërbente vendit, për t’i mbledhur forcat për të bërë vepra të mira si Adem Jashari me familje dhe bashkëluftëtarë të tij që u sakrifikuan për lirinë e vendit”, u shpreh Osmani.

Ndërkaq, lidhur me arrestimet e fundit nga Gjykata Speciale, Osmani nuk dëshiroi të deklarohet duke thënë shkurt se “në veprimet juridike nuk do të duhej komente politike”.

Kjo është vizita e dytë sot si presidente të Kosovës. Në mëngjesin e sotëm, Osmani bëri homazhe të varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova.

Vjosa Osmani dje mori pozitën e ushtrueses së detyrës së presidentit të Kosovës pas dorëheqjes së Hashim Thaçit nga kjo pozitë për shkak të konfirmimit të aktakuzës nga Dhomat e Specializuara.