Osmani jep deklaratën e parë si ushtruese e detyrës e presidentes së Kosovës

Vjosa Osmani sot mori pozitën e ushtrueses së detyrës së presidentit të Kosovës pas dorëheqjes së Hashim Thaçit nga kjo pozitë për shkak të konfirmimit të aktakuzës nga Dhomat e Specializuara.

Osmani me anë të një video-deklarate iu drejtua popullit të Kosovës ku foli për sfidat që po kalon Kosova dhe detyrat që e presin si ushtruese e detyrës së presidentes.

Më poshtë keni deklaratën e plotë të u.d së presidentes, Vjosa Osmani.

“Vendi ynë po kalon ditë të vështira, qytetarët e Kosovës duhet të dëshmojnë unitet dhe besnikëri ndaj Republikës sonë. Vendi ynë ka kaluar sfida të shumta gjatë historisë, përfshirë edhe luftën e fundit, prandaj duhet ta forcojmë qëndrueshmërinë e shtetit tonë. Shteti behet i fortë duke u përballur me sfida dhe kaluar ato dinjitetshëm.

Ne jemi të vetëdijshëm se veprimet e dhomave të specializuara janë rrjedhojë e obligimeve shtetërore të cilat Kosova i ka pranuar, proceset që vijnë pas nuk do ta dëmtojnë projektin tonë kombëtar për liri i cili është ndëruar mbi sakrificën e brezave të tërë dhe gjakun e derdhur të Ushtrisë Clirimtare të Kosovës.

Unë ju shpreh vlerësimin tim të gjithë atyre që u janë përgjigjur ftesës së dhomave të specializuara duke dëshmuar kështu besim të palëkundur në drejtësi.

Beteja për shtetndërtim është beteja më e vështirë politike, prandaj tiparet e traditës sonë janë të nevojshme në këtë moment, kjo kohë kërkon lidership të fuqishëm dhe përgjigje të unifikuar shtetërore. Sot kur vendi ynë përballet edhe me pandeminë, ne kemi nevojë për solidaritet dhe mirëkuptim të plotë me njëri tjetrin.

Si ushtruese e detyrës së Presidentes do të përkushtohem që funksionin tim ta promovoj duke ushtruar këto vlera, do të angazhohem çdo ditë që Kosova të bëhet shtet ku ëndërrat e qytetarëve tanë jetësohen, ku krijohen mundësi të barabarta për të gjithë. Do të sigurohem që zëri im t’i bashkangjitet zërit të qytetarëve. Dua të ju lus si qytetarë të këtij vendi, të përkushtuar ndaj vlerave demokratike të qëndrojmë afër njëri tjetrit për të dëshmuar se kuptojmë dhe i ndajmë këto vlera mes vete. Unë jam e bindur se si vend  të gjithë së bashku do të qëndrojmë fort.

Angazhimi ynë për shtet ligjor na ka përballur me sfida të rënda, por ne nuk kemi hequr dorë nga përkushtimi për konsolidim të shtetit dhe kultivim të vlerave demokratike.

E kemi ruajtur këtë shpesë edhe kur kemi qenë viktimë e një agresioni të rëndë. Serbia ka vrarë mbi 13 mijë njerëz, 1133 prej tyre ishin fëmijë, më së shumti nga luftërat e zhvilluara në hapësirën e ish Jugosllavisë për kokë banori.

Paqja e qëndrueshme në rajon kërkon që viktima dhe agresori të mos barazohen, ne shqiptarët e Kosovës kemi qenë viktimë e hegjemonisë të një shteti gjenocidal kurse Serbia ishte shteti që kreu këto krime, këtë duhet ta themi me zë të lartë. Si u.d e Presidentes së Kosovës do të garantoj funksionimin demokratik të institucioneve, do ta ruaj kohezionin institucional, stabilitetin dhe unitetin e vendit”.