Vjosa Osmani në Deçan: Kosova nuk ka lumenj për të falur

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani gjatë ditës së marte ka vizituar Deçanin, përkatësisht Lumbardhin dhe Bjeshkët e Belegut.

Në pamjet e publikuara shihet se në këtë vizitë ka qenë e pranishme edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, deputetja e AAK-së, Albena Reshitaj, përfaqësues nga organizata “Pishtarët” etj.

Në kuadër të kësaj vizite, Osmani ka deklaruar se për herë të parë ka parë nga afërmi “vuajtjen mjedisore të këtij vendi dhe pasojat pothuajse të parikuperueshme në natyrë që janë shkaktuar nga mosmenaxhimi i duhur i përgjegjësve”.

Ajo në rrjetin social “Facebook”, ka shkruar se në pikën e njohur si “Zalli i Rupës”, nuk ka shenjë të angazhimit për të përmbushur premtimin e dhënë për të rivitalizuar këtë hapësirë.

“Në pikën e njohur si “Zalli i Rupës”, vendi ku ishte premtuar se do të ndërtohej rezervuari i liqenit akumulues, vendi që ishte i bekuar me freskinë e lumit e gjelbër të pashoq, tash dominon thatësira dhe për më tepër, nuk ka shenjë të angazhimit për të përmbushur premtimin e dhënë e për ta rivitalizuar këtë hapësirë. Dëshmi e mjaftueshme për kërkim të llogaridhënies nga akterët përgjegjës, si dhe dëshmi e mjaftueshme që institucionet tona të veprojnë konform përgjegjësisë institucionale, ligjore e kushtetuese!”, ka shkruar kryeparlamentarja.

Sipas saj, gjatë kësaj vizite u konfirmua që zëri i aktivistëve mjedisor nuk guxon kurrsesi të shuhet dhe është obligim që ta mbrojnë. Me tej ka shkruar se Kosova ka rezerva të pamjaftueshme ujore dhe nuk ka vendi lumenj për të falur, duke shprehur edhe përkrahjen e Kuvendit në mbrojtjen e tyre.

“Gjatë kësaj vizite u konfirmua që zëri i aktivistëve mjedisor nuk guxon kurrsesi të shuhet dhe ne e kemi për obligim ta mbrojmë atë, sepse në mungesë të një përgjegjësie institucionale tash e sa vite, ishte zëri i qytetarëve që arriti të kthej ujin në damarët e Lumbardhit në pjesë që për vite i kishte zaptuar thatësira”, tha ajo.

“Por ne s’guxojmë të mjaftohemi me kaq, sepse mbrojtja e Lumbardhit të Deçanit si dhe lumenjve të tjerë, është mbrojtje e florës dhe faunës, është mbrojtje e traditës dhe mënyrës së jetesës për komunitetin që jeton pranë lumit dhe gjithë Deçanasit, është përfundimisht mbrojtje e shëndetit të natyrës e rrjedhimisht edhe e shëndetit tonë. Une dua të shoh zhvillim ekonomik në vendim tim, por kurrsesi në dëm të natyrës!”, u shpreh tutje ajo.

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.