Vjosa Osmani: Është detyrim i gjithsecili prej nesh që të vërteten e Poklekut ta themi kudo

Sot janë bërë 23 vjet nga masakra në fshatin Poklek i Vjetër dhe Çikatovë të Vjetër komuna e Drenasit, ku ushtria serbe ka masakruar dhe i ka vrarë, pastaj edhe i ka djegur kufomat e 77 shqiptarëve civilë të paarmatosur, në mesin e tyre 24 fëmijë.

Presidentja Vjosa Osmani bashkë me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca fillimisht kanë bërë homazhe në kompleksin memorial në Poklek. Bashkë me ta, ishte edhe kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci me ekipin e tij.

Presidentja Osmani më këtë rast tha se është detyrim i gjithsecilit që e vërteta e Poklekut të thuhet kudo, jo vetëm në Kosovë, që sipas saj, bota mbarë të dëgjoj për vuajtjet e popullit shqiptar

“Në këtë Kompleks prehen 54 martirë kryesisht gra dhe fëmijë, 24 fëmijë së bashku me familjarët e tyre jo vetëm që u ekzekutuan por u dogjën disa herë radhazi nga forcat gjenocidale serbe, duke treguar kështu mënyrën e regjimit serb të atëhershëm për të shfarosur popullin shqiptar. Është detyrim i gjithsecili prej nesh që të vërteten e Poklekut ta themi kudo, jo vetëm në Kosovë në mënyrë që bota mbarë të dëgjoj për vuajtjet e popullit shqiptar, por mbi të gjithash ta shoh edhe vetë dëshminë e qartë qëllimin e Millosheviqit për ta zhdukur popullin shqiptar nga Kosova”, tha Osmani teksa shtoi se nuk do të ndalen kurrë së kërkuari drejtësi.

Masakren e Poklekut, kryekuvendari Glauk Konjufca e quajti si një ndër masakrave më barbare dhe mizore që e ka bërë Serbia në Kosovë.

“Kjo është dëshmi e gjenocidit që e ka bërë Serbia mbi popullin tonë. Kjo është një plagë që ende është e hapur dhe kullon. Meqenëse jo vetëm që pikëllimi është shumë i madh, të gjithë më të dashurit që i kemi humbur por mos të harrojmë që për këtë masakër nuk ka pasur drejtësi, asnjë gjykim serioz nuk ka ndodhur deri tash. Kriminelet ende të lirë në shtetin serb. Masakrat na e kujtojnë se duhet të jemi në nivelin më të lartë që mos të ndalim dhe të grisim zërin dhe të kërkojmë që të vihet drejtësia”, u shpreh Konjufca.