Vizita e kryeministres serbe, Policia do të bllokojë përkohësisht disa rrugë në veri

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme do të bllokojë përkohësisht disa rrugë në veri të vendit, për shkak të vizitës së kryeministres serbe Ana Bërnabiq, në komunat me shumicë serbe.

Përmes një komunikate për media, Policia ka thënë se do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mirëmbajtjen e rendit e qetësisë publike.

“Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës zyrtare nën përcjellje dhe sigurim sipas itinerarit të lëvizjes, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurta kohore), të disa segmenteve rrugore ku pritet të kalojë eskorta, si dhe në lokacione të caktuara ku parashihen të realizohen aktivitete” – thuhet në komunikatën e Policisë.

Gjithashtu, Policia ka thënë se për të mundësuar qarkullimin dhe orientinmin e trafikut në rrugët alternative, do të angazhohen policë të trafikut dhe për këtë qëllim, Policia ka kërkuar mirëkuptim nga ana e qytetarëve.

Ana Bërnabiq sot do të qëndrojë për vizitë në veri të vendit, që shënon vizitën e saj të parë në Kosovë, prej që është zgjedhur në këtë pozitë.

Në anën tjetër, kryeministri Albin Kurti, të shtunën ka thënë se vizita e saj erdhi për shkak se dy ministra të tij do ta vizitojnë Preshevën.

Në ndërkohë zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, i shoqëruar nga ministrja e Ministrisë së Arsimit, Arbërie Nagavci, sot do ta vizitojnë Luginën e Preshevës.

Gjatë kësaj vizite, sipas njoftimit të Qeverisë së Kosovës, Bislimi e Nagavci do të zhvillojnë takim me Këshillin Kombëtar Shqiptar, pastaj me deputetin e Kuvendit të Serbisë, Shaip Kamberin, e me krerët e Komunës së Bujanocit.