Bërnabiq: Është momenti i fundit për themelimin e Asociacionit

Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën, ka thënë se Kosova e ka përcjellë mesazhin se nuk do zbatimin e marrëveshjeve të arritura në kuadër të procesit të dialogut.

Mirëpo, sipas saj, është momenti i fundit që të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe edhe atë me kompetenca siç janë të shkruara në marrëveshjen  e viteve 2013 dhe 2015.

“Është momenti i fundit për themelimin e Asociacionit. Më duhet të them qartë që Asociacioni duhet të jetë në përputhje me marrëveshjen e 2013/2015, dhe jo vetëm ndonjë organizatë dosido. Metoda e formimit, e miratimit, janë përcaktuar qartë dhe nuk mund t’i nënshtrohen interpretimit”- tha ajo.

Bërnabiq në fjalimin e saj ka pretenduar se Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti ka përndjekur qytetarët serbë që jetojnë në Kosovë.

“Vetëm nga fillimi i këtij viti ndaj 6 serbëve ka pasur të shtëna dhe askush nuk është marrë në përgjegjësi penale, në dy vitet e fundit ka pasur 434 sulme me motivim etnik ndaj serbëve dhe pronave të tyre, 50 për qind rritje në krahasim me periudhën para Qeverisë Kurti, dhe ne nuk e dimë ende nëse është mbajtur dikush përgjegjës ose është ngritur ndonjë aktakuzë”- tha ajo.

Sipas saj 11 për qind e qytetarëve në komunat veriore kanë braktisur jetën në Kosovë për shkak të ‘kushteve të padurueshme’.

“11 për qind e serbëve janë larguar nga Kosova që nga qeverisja Kurti, që prej se ai erdhi në pushtet, 11 për qind e kanë lënë Kosovën, për shkak të fushatës sistematike e të përhapur ndaj serbëve dhe krijimit te qëllimshëm të kushteve të padurueshme të jetesës për ta”- tha ajo.

Momentalisht është duke u mbajtur takimi i Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën.