Armët e grupit terrorist serb që janë konfiskuar nga Policia e Kosovës në Banjskë të Zveçanit Foto: KALLXO.com

Bërnabiq: Serbia është e gatshme të dëshmojë që nuk është e përfshirë në sulmin në Banjskë

Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, ka thënë se janë të gatshëm t’i ofrojnë prova bashkësisë ndërkombëtare për të dëshmuar që Serbia nuk ka pasur gisht në sulmin e 24 shtatorit në Banjskë, në veri të Kosovës.

Në deklarimin e saj në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Bërnabiq shprehu keqardhje për jetët e humbura nga sulmi në Bansjkë.

“Dua të ju siguroj me përgjegjësi që Beogradi, forcat e sigurisë së Beogradit, strukturat e sigurisë në Beograd, nuk kanë pasur të bëjnë asgjë me këtë ngjarje dhe jemi të gatshëm t’i ofrojmë të gjitha provat për bashkësinë ndërkombëtare për të konfirmuar këtë deklarim”- tha ajo.

Më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit ndodhi një sulm terrorist.

Afrim Bunjaku, rreshter i Policisë së Kosovës, u vra, një polic tjetër u plagos e një tjetër u lëndua nga ky sulm, ndërsa Policia u sulmua disa herë radhazi nga grupi terrorist deri sa këta të fundit ikën në drejtim të Serbisë.

Në ditën kritike Policia sekuestroi 24 automjete, dy autoblinda e arsenal të madh armatimi luftarak që i kishte grupi terrorist.

Tre persona nga ky grup u vranë e disa të tjerë u arrestuan.

Trupat e tre të vrarëve iu dorëzuan më 30 shtator 2023 familjarëve të tyre, pas përfundimit të procedurave të nevojshme nga organet kompetente.

Përgjegjësinë për sulmin e mori ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, mirëpo autoritetet në Kosovë kanë theksuar se prapa këtij sulmi janë institucionet e Serbisë.