Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq

Ana Bërnabiq viziton veriun, ministra të Kosovës shkojnë në Preshevë

Kryeminstrja serbe, Ana Bërnabiq, të hënën do të realizojë një vizitë në veri të Kosovës. Kryeministri Kurti tha se vizita e saj erdhi për shkak se dy ministra të tij do ta vizitojnë Preshevën. Ndërkohë që për njohës politik, kjo është një humbje politike për Kosovën.

Në vendin që nuk e njeh si shtet, e tek qytetarët që para tre vitesh i quajti “njerëz të sapo dalur nga mali”, iu dasht të marrë leje që të realizojë një vizitë.

Megjithë kjo leje që të hyjë në Kosovë iu dha nga Ministria e Jashtme, e në rregull me këtë vizitë është edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ai para mediave deklaroi se Bërnabiq mund të vijë e ta kuptojë sa demokratike është Kosova kundrejt Serbisë.

Por, këtë vizitë të Bërnabiqit në veri, profesori Milazim Krasniqi e vlerëson si një lloj fitorje të shtetit fqinj.

Kjo pavarësisht faktit që sipas Krasniqit, vizita e Bërnabiqit as nuk sjellë rrezik e as ndryshim diskursi politik.

“Po i faturohet nje favor Vuçiqit dhe qeverisë së Serbisë, për tolerancë bashkpunim, kështu që në atë aspekt e shoh fatkeqsisht si një fitore të politikës serbe, përndryshe Kosova është vend i hapur dhe i lirë dhe duhet të jetë i hapur edhe për vizita të tilla” – tha ai.

Por pikërisht të hënën, andej kufirit do të kalojë edhe dikush nga pala kosovare.

Kryeministri Kurti ka bërë të ditur se dy ministra të tij do të vizitojnë gjithashtu Preshëvën, bile ai shkon tha se ideja e serbëve mund të ketë ardhur si shkak i kësaj.

Por, këto vizita të dyfishta ngjajnë më shumë si në një pakt mes palëve sipas Milazim Krasniqit. Ai  shprehet i bindur se është dakordim që ka dalë nga marrëveshja për dokumente mes dy vendeve.

Së bashku me kryeministren serbe, Kosovën do ta vizitojnë edhe drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovë, Petar Petkoviq dhe drejtori i Zyrës për IT dhe e-Qeverisje, Mihailo Jovanoviq.

Kjo është vizita e saj e parë në Kosovë si kryeministre./TV Dukagjini