Kuvendi i Kosovës/ Foto: KALLXO.com

Kuvendi miraton në parim Ligjin për shëndetin riprodhues dhe fertilizimin e asistuar mjekësor

Pas rreth shtatë muajsh, Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim Ligjin për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor.

Projektligji i cili ngjalli debat mes ligjvënësve, sot ka marrë 58 vota pro, një kundër dhe katër abstenime.

Që nga muaji mars, kjo pikë e rendit të ditës nuk kishte kaluar për shkak të mungesës së kuorumit, pasi deputetët nuk merrnin pjesë në votim.

Në mars të këtij viti ky Projektligj ka ngjallur debat mes deputetëve në Kuvend.

Deputetja e LVV-së, Saranda Bogujevci, pati thënë se ky është një ligj i rëndësishëm dhe tregonte se përderisa nuk ka qenë në ndonjë lidhje martesore i kishte shkuar në mendje të bëhej nënë në bazë të asaj çka ofronte shkenca.

“Në aspektin kur i rregullojmë gjërat në shoqërinë tonë sa e lehtë është që vendimet të merren për ta determinuar ne si gra qysh vendosim ta jetojmë jetën tonë, diçka që nuk parashihet me pjesën e burrave. Dua të jem e sinqertë dhe ta them publikisht këtë pjesë se unë përderisa nuk kam pasur mundësinë të jem në lidhje, apo lidhje martesore, kam dashur të bëhem nënë. Dhe, unë duhet të jem e limituar, në bazë të asaj që e the, vetëm pse një shoqëri mendon se një normë duhet të jetë në një formë të caktuar. Dhe përderisa kam dashur të bëhem nënë, për mua ka qenë me rëndësi se çka ka ofruar shkenca për të ma mundësuar këtë të drejtë, e jo të ma determinojë një burrë, që unë duhet doemos të kem një burrë, me të cilin martohem, për të pasur mundësinë të bëhem nënë…” – kishte thënë ajo.

Sipas saj, nuk duhet të miratohen ligje dhe të krijohen rregulla që i kufizon gratë në çdo aspekt.

“Ka ardhur koha t’i lëmë gratë rehat dhe të vendosin për veten e tyre pa i cenuar vlerat shoqërore” – tha ajo.

Kjo deklaratë e Bogujevcit erdhi pas fjalimit të deputetit të LVV-së, Eman Rrahmani i cili tha se duhet të rishikohet projektligji për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor, për shkak se sipas tij, cenon familjen për vlerat e së cilës thotë se angazhohet

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, pati thënë se projektligji në fjalë nuk bie në kundërshtim as me Ligjin për familje as me Ligjin për shëndetësi, e as me Kodin Civil.

“Ky ligj ka rendësi të veçantë. Në asnjë vend nuk ka pasur kundërthënie me asnjë ligj. Me vërejtje ose jo, në fund ju do ta votoni, por këto që u ngritën këtu nuk qëndrojnë” – tha ministri Vitia.

Deputetja e LVV-së, Tinka Kurti tha se i del në mbështetje fjalimit të deputetes Saranda Bogujevci.

Projektligji për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor, rregullon organizimin, funksionimin, rolin dhe përgjegjësinë institucionale dhe profesionale, mbikqyrjen, inspektimin, për kujdesin shëndetësor të sigurt dhe cilësor që ofrohet në fushën e shëndetit riprodhues, me qëllim të ruajtjes, promovimit, përmirësimit të të drejtave të shëndetit seksual dhe riprodhues.

Me këtë ligj rregullohet kujdesi shëndetësor, procedurat e fertilizimit të asistuar mjekësor, realizimi dhe këshillimi për këto procedura si e drejtë riprodhuese e individit kur nuk arrihet shtatëzani e dëshiruar me rrugë natyrore.

 

Bogujevci thotë se i kishte shkuar në mendje të bëhej nënë në bazë të asaj çka ofronte shkenca