Viola von Cramon: I papranueshëm vendimi i Qeverisë së Kosovës për shpronësime në Leposaviq dhe Zubin Potok

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, e ka quajtur “të papranueshëm” vendimin e Qeverisë së Kosovës për shpronësime të pronave të paluajtshme në komunën e Leposaviqit dhe Zubin Potokut.

Von Cramon në një konferencë në Parlamentin Evropian është shprehur se kur të vijë në Kosovë do të shkojë në veri të vendit për të biseduar me banorët lidhur me këtë gjë.

“Jemi ne dijeni për këtë dhe është absolutisht e papranueshme, ka një arsye pse kur të shkoj në Kosovë do shkoj edhe në veri që të flas me qytetarët dhe të hulumtoj më shumë për këtë dhe më pas të përball Qeverinë në Prishtinë me situatën”- u shpreh ajo.

Tutje, von Cramon potencoi se gjendja në veri të vendit është fragjile dhe nuk është në interesin e BE-së që të ketë më shumë tension.

“Kjo është një prej shqetësimeve të mia kryesore për momentin sepse e shohim që stabiliteti në veri, nëse mund ta quajmë ashtu, është shumë fragjil. Nuk mund të  jetë në interesin tonë që të ketë më shumë zjarr në këtë proces. Definitivisht do merremi më këtë”- shtoi tutje ajo.

Qeveria sot ka marrë vendim preliminar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të cilat janë të nevojshme për realizimin e “Projekteve Infrastrukturore për Interes Publik”, në komunën e Leposaviqit dhe komunën e Zubin Potokut.

Zëvendësministri i Ambientit dhe Infrastruktruës, Avni Zogiani, tha se Qeveria më 2 shkurt kishte miratuar vendimin për shpronësim, ndërsa pas atij vendimi janë mbajtur dëgjimet publike.

Sipas njoftimit zyrtar, më 2 shkurt 2023 është marrë vendim me të cilin autorizohet Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, për kryerjen e punëve përgatitore për përcaktimin e përshtatshmërisë potenciale të një ose më shumë parcelave të pronës së paluajtshme për realizimin e “Projekteve Infrastrukturore për Interes Publik’’ në dy zona kadastrale, në fshtrat Dren dhe Leshak të komunës së Leposaviqit.

Qeveria merr vendim preliminar për shpronësime në Leposaviq dhe Zubin Potok